Kreu i AAK-së thotë se mbështetja e aleatëve, veçanërisht e SHBA-së dhe NATO-s, ishte vendimtare për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar periudhën kur, si kryeministër i vendit, kishte arritur krijimin e Ushtrisë së Kosovës, duke treguar se kishte pasur skepticizëm nga disa shtete për një hap të tillë. Duke folur në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Haradinaj tha se ekzistonte shqetësimi se formimi i ushtrisë mund të destabilizonte Kosovën dhe rajonin.
Ai theksoi se krijimi i Ushtrisë së Kosovës ishte një e drejtë e mohuar ndër vite dhe një porosi e vazhdueshme e brezave që luftuan për lirinë e vendit. Sipas tij, ky qëllim ka qenë prioritet që para marrjes së detyrës qeverisëse dhe është realizuar pas angazhimeve të përditshme dhe mbështetjes ndërkombëtare.
Haradinaj veçoi si moment kyç takimin në Pentagon me Sekretarin e atëhershëm të Mbrojtjes së SHBA-së, gjeneralin James Mattis, i cili, sipas tij, hapi rrugën për veprimet konkrete drejt krijimit të ushtrisë. Ai shprehu mirënjohje për Administratën Trump dhe vendet anëtare të NATO-s për besimin dhe përkrahjen e dhënë.
“Ka pasur dhe ka ende skeptikë, që e lidhnin këtë proces me Rezolutën 1244 apo me ndryshime kushtetuese. Kishte frikë se Ushtria e Kosovës mund të sillte destabilizim, madje edhe reagime në veri apo në rajon. Por ne arritëm t’i bindim se kjo ushtri është ushtri e paqes”, deklaroi Haradinaj.
Ai theksoi se Kosova është ndër vendet e fundit që e ka fituar paqen dhe se do të jetë ndër të fundit që do ta rrezikojë atë, duke shtuar se vendi nuk duhet asnjëherë të jetë burim krizash të panevojshme për veten apo për aleatët. Sipas Haradinajt, në bindjen e partnerëve ndërkombëtarë ka ndikuar edhe fakti se ai vetë ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.






