Pas dështimit të radhës në përpjekjen për ta konstituar Kuvendin e Kosovës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër, duke e quajtur situatën politike si të rëndë dhe dëmtuese për vendin.
Duke folur për mediat pas seancës së 36-të të dështuar, Haradinaj theksoi se Kosova po ndëshkohet për shkak të ngërçit institucional, ndërsa bëri thirrje që opozita të jetë më proaktive dhe të përballet drejtpërdrejt me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.
“Dhjetëra herë me kandidu, nëse nuk e merr votën, jam i bindur që gjykata do të reflektojë në këtë pjesë. Nuk vlen procedura e votimit tjetër se është votuar me votë të hapur disa herë dhe ka dështuar. Gjendja është e vështirë, nuk është e mirë, Kosova po ndëshkohet. Nuk është mirë me u sjell sikur nuk po ndodh asgjë, opozita duhet me qenë më proaktive me ballafaqu mashtruesin dhe ekipin e tij”, deklaroi ai.
Kreu i AAK-së theksoi se vendi nuk mund të vazhdojë kështu, duke nënkuptuar se dështimet e njëpasnjëshme në Kuvend e kanë vendosur Kosovën në një situatë të paqëndrueshme. Ai gjithashtu shprehu bindjen se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë qëndrim rreth procesit të votimit të kryetarit të Kuvendit, pas një sërë votimesh të dështuara.
Seanca e sotme shënoi përpjekjen e 36-të me radhë për konstituimin e Kuvendit, duke mos sjellë sërish asnjë rezultat konkret.









