Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka deklaruar se më 16 shtator do të jetë në Prishtinë për të pritur ish-presidentin Hashim Thaçi, në rast se ai lirohet nga akuzat në Hagë.
Haradinaj ka thënë se pret që Thaçi të lirohet dhe se do të jetë në mesin e qytetarëve që do ta presin atë.
“16 shtatori më pret në Kosovë duke e pritur Hashim Thaçin që t’ia jap dorën për lirim”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka paralajmëruar edhe ata që, sipas tij, presin dënimin e ish-presidentit Thaçi.
“Dhe ata që kanë bërë plan me festu, me kremtu dënimin e Hashim Thaçit… ata do të digjen shumë keq”, ka thënë Haradinaj.
Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së që po gjykohen në Hagë pritet të shpallet më 16 shtator.








