Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se mbrëmë, me shpërndarjen e Kuvendit, sipas tij, ka fituar Kushtetuta dhe ligji përballë siç e quan ai, populistit Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, i pari i AAK-së, ndër të tjera tha se ka fituar vetëdija dhe rezistenca e opinionit publik e faktorit politik se nuk do të lejohet shkatërrimi i rendit politik e kushtetues të vendit.
Ai shton se ka fituar edhe koncepti se nuk ka individ e as parti që mund ta rrezikojë ekzistencën e shtetit.
“Megjithëse me ditën e djeshme Kosova i ka rrumbullaksuar gjashtë vjet të humbura nën këtë pushtet, prej sot nis një etapë e re për shtetin. Mbrëmë është përmbysur koncepti i partisë-shtet, ku një individ provon të bëhet mbret. Është përmbysur autokrati Albin Kurti”, ka shkruar ish-kryeministri i Kosovës.
Sipas Haradinaj, tash fjalën e ka sovrani, i cili sipas tij, mban mend e nuk falë.
“Vendimmarrja i është kthyer atij. Aleanca si parti dhe unë si drejtues i saj, kemi qenë bashkëpunues e të ndershëm sa s’ka për ta kaluar këtë krizë politike, por të tjerët ishin dehur pas pushtetit duke e harruar shtetin. Për Kosovën deri në frymën e fundit!”, tha Haradinaj.









