Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, është deklaruar pas takimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhikut.
Haradinaj ka thënë se Kurti po i kërkon të gjitha pozitat vendimmarrëse për vete dhe po i ofron opozitës vetëm pjesëmarrje në qeverisje.
“Dallimi mes numrit të deputetëve shqiptarë të pozitës dhe opozitës nuk është aq i madh sa që vetëm fituesi i zgjedhjeve të mban vendimmarrjen. Për me e thjeshtësu, nga dy postet e para, në këtë rast kryeministri dhe presidenti, njëri nga të dy postet, në bazë të rezultatit zgjedhor, i takon opozitës. Ai që i ka fitu zgjedhjet, nëse ka logjikë demokratike… Nëse ka logjikë regjimi, e që në fakt kjo logjikë po ndodhë me Kurtin, ai nuk dëshiron vendimmarrje të përbashkët. Kurti po i kërkon të gjitha pozitat vendimmarrëse për vete dhe në njëfarë mënyre po synon me e poshtëru opozitën, duke i ofruar vetëm pjesëmarrje në qeverisje. Kjo logjikë është e regjimit, udhëheqësit e regjimeve totalitare frikësohen nga bashkëvendimmarrja. Opozita mundet me ndihmu në krijimin e institucioneve, por duhet të ketë bashkë-vendimmarrje”, deklaroi ai.
“Qytetari ia ka zbrit votën, nëse ai nuk e lexon kështu i bjen që është e kot edhe mbajtja e takimeve, është më se e thjeshtë. Nuk mendoj që opozita e ndihmon Kosovën duke u bë pjesë e qeverisë Kurti vetëm për përfitime të pushtetit. Aleanca nuk synon vetëm përfitime të pushtetit”, ka deklaruar më tej Haradinaj.
“Votat për presidentit janë marrëveshje politike të 2/3-ave. Duhet të sqarohet a është një situatë e ndarjes së vendimeve”, tha më tej deputeti Haradinaj.








