Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se ai nuk përfaqëson më një premtim për qytetarët.
Në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se Kurti sot është bilanc.
Sipas tij, pas disa vitesh në pushtet, rezultatet duhet të maten me gjendjen reale në vend dhe jo me retorikë politike.
“Që nga viti 2019, Albin Kurti ka kërkuar besimin e qytetarëve në emër të ndryshimit. Për një kohë, shumë njerëz e panë si alternativë ndaj politikës së mëparshme dhe si mundësi për një shtet më të fortë, më të drejtë dhe më funksional. Por ajo kohë ka kaluar. Sot ai nuk është më premtim. Sot ai është bilanc. Dhe bilanci i tij nuk matet me fjalët që thotë për veten, por me gjendjen e vendit. Pyetja është e thjeshtë: a është bërë Kosova më stabile, më funksionale dhe më e fortë si shtet pas gjithë këtyre viteve me Albin Kurtin në krye të pushtetit? Përgjigjja është jo”, ka shkruar ai.
Duke komentuar qeverisjen e Kurtit, kryetari i AAK-së tha se ai nuk ka forcuar as ekonominë dhe nuk ka avancuar asnjë projekt. Sipas Haradinajt, edhe nëse Kurti fiton sërish, kjo nuk garanton stabilitet për vendin, pasi krizat do të vazhdojnë.
“Kosova nuk ka nevojë për një kryeministër që flet përditë si në fushatë. Ka nevojë për shtet që punon, për institucione që respektojnë njëra-tjetrën, për ekonomi që lëviz dhe për politikë që ndërton. Qytetari ka të drejtë sot të kërkojë jo edhe një premtim tjetër, por një llogari të thjeshtë: çfarë ka prodhuar gjithë ky pushtet? Për këtë arsye duhet thënë qartë: Albin Kurti nuk është më shpresa e Kosovës. Ai është bilanci i një epoke që premtoi shumë, prodhoi shumë konflikt dhe ndërtoi më pak se sa kishte detyrimin të ndërtonte”, ka shtuar Haradinaj.









