Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur akuza duke ndaj pushtetit duke thënë se Kosova po shpenzon qindra miliona euro për energji.
Sipas tij këto para përfundojnë në Serbi përmes sekserëve të kryeministrit.
Ai tha se në të njëjtën kohë, Shqipëria nënshkroi marrëveshjen strategjike për gazin amerikan me kosto të ulët.
“Përderisa Kosova po paguan qindra miliona euro për Serbinë për energji, përmes sekserëve të lidhur me njerëz të afërt të kryeministrit, Shqipëria firmosi marrëveshjen strategjike për gazin amerikan, e cila do t’i sigurojë furnizim stabil me energji dhe kosto të ulët”, tha ai.
Tutje, ai tha se ndër vendimet e para të Kurtit me të ardhur në pushtet, “ishte anulimi fillimisht i ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe refuzimi i gazsjellësit amerikan”.
“Sot, milionat e Kosovës nuk do të shkonin në Serbi, sikur Qeveria Kurti të mos e kishte anuluar ndërtimin e Termocentralit të ri. Sikur të mos ishte bllokuar projekti amerikan i gazsjellësit Shkup-Prishtinë, një projekt me përfitime të mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë”, ka shkruar Haradinaj.









