Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka përkujtuar akademik Rexhep Qosjen, duke theksuar se Kosova humbi një institucion të mendimit kritik, një tribunë të fjalës së lirë dhe një ndërgjegje që nuk pranonte të heshte.
Në seancën dedikuar Qosjes, Hamza tha se akademiku nuk ishte vetëm një rrëfimtar i kohës sonë, por sipas tij, ishte gjykues i saj.
“Ai nuk ishte produkt i rrethanave kohore, por ishte kundërshtar i tyre. Në një politikë që shpesh kërkonte kompromise, ai zgjodhi të vërtetën, dhe në këtë shoqëri që shpesh harron, ai zgjodhi kujtesën”, tha kreu i PDK-së.
“Akademik Rexhep Qosja na mësoi se pushteti më i rrezikshëm nuk është ai që ndalon trupin, por ai që pushton mendjen, sepse robëria më e thellë nuk është ajo që shihet, por ajo që pranohet. Dhe ai nuk e pranoi asnjëherë”, u shpreh ai.









