Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka shprehur shqetësimin për mungesën e energjisë elektrike në zonat kryesore të kryeqytetit, duke theksuar se kjo është dëshmi e krizës në të cilën e ka futur vendin Qeveria Kurti.
Hamza, në një konferencë për media të cilën e zhvilloi pa drita dhe pa zërim, tha se PDK-ja do ta qeverisë sektorin energjetik me transparencë, profesionalizëm dhe vizion afatgjatë.
“Kosova është në krizë ekonomike, sociale, politike dhe në krizë shprese. Dhe përgjegjësia është e qartë: Qeveria Kurti. Sot nuk kemi rrymë, por ne jemi këtu pikërisht për të folur për rrymën dhe për investimet infrastrukturore që i mungojnë vendit tash e gjashtë vite”, tha ai.
Hamza u shpreh se qytetarët e Kosovës meritojnë energji të sigurt, çmime më të përballueshme dhe një shtet që planifikon për të ardhmen.
“Krizave do t’u themi STOP së bashku. Dhe së bashku do ta ndryshojmë edhe Kosovën. Ju zotohem se me qeverinë që do ta udhëheq unë, ditë si kjo nuk do të përsëriten më. Nuk do të ketë më qytete pa rrymë dhe as dështime që e paralizojnë jetën e qytetarëve. Shteti do të funksionojë me plan, me përgjegjësi dhe me rezultate konkrete, jo me improvizim dhe justifikime”, tha Hamza.
Hamza prezantoi pikën e dytë të programit të tij qeverisës, që ka të bëjë me investimet në energji, infrastrukturë moderne dhe teknologji të reja.
“Energjia, siç e dini, është baza mbi të cilën ndërtohet çdo ekonomi moderne. Pa furnizim të sigurt, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm me energji, nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka vende pune dhe nuk mund të ketë as mirëqenie për familjet. Prandaj, energjia do të jetë prioritet kombëtar i qeverisë sonë. Ne do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, sepse energjia elektrike është nevojë bazike, jo e mirë luksi. Heqja e TVSH-së do t’i ulë menjëherë faturat e energjisë, do ta rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve dhe do të kontribuojë në stabilitetin social”, është zotuar kreu i PDK-së.
Programi i PDK-së parasheh modernizimin e Termocentralit “Kosova B”, ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet rreth 500 MW, sisteme të ngrohjes qendrore në së paku pesë qytete të Kosovës, investime në energjinë diellore, zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe realizimin e lidhjes energjetike Kosovë-Shqipëri.
“Krahas energjisë, do të vazhdojmë me investime në infrastrukturë moderne, në rrugë dhe në hekurudha. Partia Demokratike e Kosovës angazhohet për përfundimin e projekteve madhore rrugore, si autostradat për Gjilan, Podujevë, Gjakovë dhe të tjera; për zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore; për realizimin e lidhjes hekurudhore Kosovë–Shqipëri, si projekt strategjik ekonomik dhe kombëtar. Dhe, në fund, do të investojmë në teknologji të reja dhe në transformimin digjital të Kosovës. Këtë do ta bëjmë duke mbështetur zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative, inovacionin dhe startup-et, por edhe duke zgjeruar infrastrukturën digjitale dhe duke krijuar kushte që të rinjtë tanë ta ndërtojnë karrierën e tyre në Kosovë”, u zotua Hamza.
Tutje, ai falënderoi qytetarët që po e mbështesin vizionin e PDK-së për ta ndryshuar Kosovën.
“Dua t’i falënderoj qytetarët e Ferizajt, Gjakovës dhe Pejës për mikpritjen, mbështetjen dhe pjesëmarrjen në tubimet tona. Kudo po e shohim që qytetarët janë lodhur nga krizat dhe janë gati për një drejtim të ri. Ne do të vazhdojmë në çdo qytet të Kosovës, që bashkë me qytetarët ta ndërtojmë rrugën drejt ndryshimit”, tha Hamza.









