Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se kanë mbetur edhe 30 ditë deri më 16 shtator, datë që, sipas tij, shënon fundin e procesit gjashtëvjeçar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë.
Hamza ka theksuar se katër ish-krerët e UÇK-së kanë kaluar gjashtë vjet në paraburgim, larg familjeve dhe Kosovës.
“Gjashtë vite përballje me paragjykime, tendenca, narrativa politike, shkelje të të drejtave dhe padrejtësi të shumta”, ka shkruar Hamza.
Ai ka thënë se pritshmëritë dhe kërkesat janë të qarta: drejtësi dhe lirim.
“Pas gjashtë vitesh, 16 shtatori duhet të jetë dita kur mbyllet ky kapitull i dhimbshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë. Duhet të jetë dita kur katër ish-udhëheqësit e UÇK-së kthehen në shtëpi”, ka deklaruar Hamza.
“Presim edhe 30 ditë. Presim drejtësi”, ka përfunduar ai.








