Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka folur pas takimit me Vjosa Osmani, duke thënë se përgjegjësia për moszgjedhjen e presidentit i takon partisë fituese.
Hamza theksoi se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë e hapur për marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit, por sipas tij kjo nuk u arrit.
Ai shtoi se PDK do të pranojë cilëndo datë të zgjedhjeve që caktohet nga presidentja, në përputhje me afatet kushtetuese.
“Në respektim të ftesës së Presidentes, ne ishim në takimin e ftuar ku diskutuam për datën e zgjedhjeve. Përgjegjësia kryesore i bie partisë fituese; e dimë që ka mundur t’i japë vendit President, pasi gjithmonë kjo ka ndodhur me marrëveshje politike. Ne kemi qenë mjaftueshëm të hapur që vendit t’i japim President. Unë nuk kam vendosur vija të kuqe për asnjë parti dhe u jam përgjigjur të gjitha ftesave për takim,” u shpreh Hamza.









