Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partia e tij mund të rikthehet në Kuvend, nëse një gjë e tillë vlerësohet e nevojshme pas zhvillimeve të fundit lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale.
Hamza i bëri këto deklarata pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u diskutua situata e krijuar pas dënimit të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Gjykata Speciale.
PDK-ja kishte deklaruar bojkot të punës së Kuvendit, ndërsa çështjen e konstituimit të Legjislaturës së 11-të dhe formimit të Qeverisë Kurti 4 e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithatë, Hamza tha se zhvillimet e fundit kanë ndryshuar rrethanat dhe, rrjedhimisht, edhe prioritetet e partisë.
“Kur ndërrojnë rrethanat, duhet të ndërrojë edhe qëndrimi ynë. Edhe ndërrojnë prioritetet. Mendoj që prioritet më të madh për këtë situatë nuk ka sesa ne si shtet të veprojmë në përputhje me interesat e shtetit”, ka thënë Hamza.
Ai theksoi se reagimi ndaj vendimit të Gjykatës Speciale nuk duhet të lidhet vetëm me ish-eprorët e UÇK-së, por edhe me interesat e shtetit, historinë dhe të ardhmen e Kosovës.
“Jo vetëm të atyre personaliteteve, ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por mbi të gjitha edhe për interesat e shtetit, për historinë, për të kaluarën, por edhe për të ardhmen e shtetit. Prandaj, në bazë të rëndësisë së rrethanave, ne do të sillemi në atë mënyrë. Nëse ka nevojë, do të jemi në Kuvend”, ka deklaruar ai.








