Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se qëndrimi i kësaj partie është që gjatë këtij mandati të jetë në opozitë.
Pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Hamza tha se PDK-ja do ta ketë vendin e saj si parti opozitare, ndërsa i uroi Kurtit që në takimet e ardhshme të arrijë bashkëpunim me partitë e tjera politike për formimin e institucioneve të vendit.
“Qëndrimi ynë është që këtë mandat PDK-ja të jetë opozitë. PDK-ja do ta ketë vendin e vet si parti opozitare”, ka deklaruar Hamza.
I pyetur nëse Kurti ka paraqitur ndonjë kërkesë që PDK-ja nuk mund ta përmbushë, Hamza tha se partia e tij nuk është pala së cilës duhet t’i drejtohen kërkesat për krijimin e institucioneve.
“Ne nuk jemi pala që neve na bëhen kërkesat, sepse përgjegjësinë për krijimin e institucioneve e ka partia më e votuar”, është shprehur Hamza.
Ai theksoi se PDK-ja do të vazhdojë angazhimin e saj nga opozita, ndërsa formimi i institucioneve mbetet përgjegjësi e subjekteve që kanë mundësi të krijojnë shumicën parlamentare.








