Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar ashpër lidhur me situatën aktuale në Kosovë, duke deklaruar se vendi ndodhet në gjendjen më të keqe që nga shpallja e pavarësisë.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Hamiti ka theksuar se përkeqësimi është i dukshëm në të gjithë treguesit kryesorë: shoqërorë, ekonomikë, politikë dhe moralë. Sipas tij, gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes me partnerët e saj, Kosova ka përjetuar dëme serioze, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka theksuar se këto sanksione janë pasojë direkte e veprimeve të kësaj kaste pushtetore, e cila, sipas Hamitit, tani po kërkon merita dhe një mandat të ri për të vazhduar qeverisjen. Sipas tij, Kosova ka hyrë në një paralizë të thellë shoqërore dhe institucionale që tash e një vit.
Hamiti ka akuzuar Qeverinë Kurti për shkelje të vazhdueshme dhe të pamëshirshme të Kushtetutës, duke thënë se numri i këtyre shkeljeve gjatë këtyre viteve është më i madh se në 20 vitet e para të Kosovës demokratike së bashku.
Në postimin e tij, ai ka folur edhe për korrupsionin, duke e cilësuar atë si masiv në nivel qeveritar. Sipas Hamitit, aktualisht ka zyrtarë të lartë shtetërorë që janë duke u përballur me procese gjyqësore dhe hetime si të dyshuar për korrupsion, madje në një periudhë kur kjo klasë politike kishte marrë 51 për qind të votave në zgjedhjet e dyta nacionale brenda një viti.
Ai ka shtuar se korrupsioni qeveritar ka cenuar integritetin e zgjedhjeve, si dhe ka ndikuar në manipulimin e votës për kandidatët brenda listave, si në partitë në pushtet ashtu edhe në opozitë.
Në fund, Hamiti ka ngritur pyetjen nëse do të ketë ndonjë kundërshtim ndaj, siç e quan ai, katandisjes së Kosovës, në një kohë kur pushtetarët aktualë synojnë ta rivendosin të njëjtin pushtet absolut.








