spot_img
spot_img
Monday, February 9, 2026
spot_img
spot_img

Hamiti i përgjigjet Hisen Berishës: ‘Vëllezërit e armës’ heshtin, liria s’monopolizohet

Refiqe R. Hamiti ka publikuar një reagim në Facebook me titull “Liria nuk monopolizohet, as shteti nuk mbrohet me gjuhë përçarëse”, si përgjigje ndaj deklaratave të Hisen Berishës.

Në postim, ajo polemizon me idenë e “vijës së kaluar”, kritikon gjuhën kërcënuese dhe thekson se Kosova mbahet nga ligji, vota dhe mendimi i lirë – jo nga frika e armës. Hamiti sjell gjithashtu referenca për trashëgiminë politike të Ibrahim Rugovës dhe kërkon reflektim brenda LDK-së, duke e mbyllur me pyetjen se kush po i përdor heronjtë dhe për çfarë.

Postimi i plotë

PËRGJIGJE NDAJ HISEN BERISHËS:

PASI VËLLEZËRIT E TIJ TË ARMËS NUK PO FLASIN

LIRIA NUK MONOPOLIZOHET, AS SHTETI NUK MBROHET ME GJUHË PËRÇARËSE

Shkruan:Refiqe R. Hamiti

Hisen Berisha, kur flet për “vijë të kaluar”, do të ishte e ndershme të na thuash: cilën vijë?

Vijën e debatit demokratik?

Vijën e mendimit ndryshe?

Apo vijën ku lufta shndërrohet në monedhë politike për të heshtur këdo që nuk mendon si ju?

Askush nuk ka të drejtë ta privatizojë luftën, sakrificën dhe lirinë.

As ti. As unë. As askush.


Të flasësh për luftën nuk do të thotë ta përdorësh atë si armë për linçim politik.

Të respektosh UÇK-në nuk do të thotë ta shpallësh veten prokuror moral mbi gjithë shoqërinë.

Dhe të jesh kundër një gjuhe fyese apo koncepti të gabuar nuk do të thotë të jesh kundër luftës.

Termi “mercenar”, sado që ti përpiqesh ta shndërrosh në akt tradhtie kombëtare, nuk e rrëzon shtetin.

Shtetin e rrëzon: Përçarja e qëllimshme, të cilën ti e ke praktikë ditore

  • nxitja e urrejtjes,
  • kërcënimi i hapur,

Kur thua se “mjeti për mbrojtjen e shtetit është arma, jo vota”, ti nuk po mbron Kosovën

ti po e mohon atë për të cilën u luftua.

Sepse Kosova nuk u ndërtua për t’u sunduar nga frika, por për t’u qeverisur nga vullneti i qytetarëve.

Nuk u çlirua që të kthehet në një shoqëri ku kush flet ndryshe quhet tradhtar.

As që heronjtë të përdoren si mburojë për dështimet politike të së tashmes.

Ibrahim Rugova nuk e ndërtoi LDK-në mbi gjuhën e kërcënimit.

As mbi përjashtimin.

As mbi mitralozin ndaj mendimit ndryshe.

Rugova ndërtoi një vizion ku liria e fjalës ishte po aq e shenjtë sa sakrifica.

Dhe pikërisht për këtë arsye, askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të tij për të justifikuar përçarjen.Aq më pak ti.

Kosova ka nevojë për dialog, reflektim dhe përgjegjësi.

Edhe LDK ka nevojë tash kur ka rënē në 13% për reflektim dhe pêrgjegjësi.

Jo për listime “tradhtarësh”.

Jo për anatema ideologjike.

Jo për nostalgji lufte që kërcënon paqen.

Historia nuk rishkruhet, thua ti.

Është e vërtetë.

Por ajo as nuk përdoret si shkop për të goditur të gjallët.

Dhe jo Kosova nuk mbahet në këmbë nga frika e armës, por nga forca e ligjit, votës dhe mendimit të lirë.

PS

Hisen Berisha thotë se “priti dy ditë” që të reagonin “vëllezërit e tij të armës” , Anton Quni dhe Fadil Hadëgjonaj.

Sa shpejt ndryshon gjuha, kur të duhet audienca.

Sepse po këta “vëllezër” i ke përplasur, fyer dhe përçarë publikisht sa herë nuk ta kanë kënduar këngën sipas qejfit tënd.

Sot i quan vëllezër, dje ua përqeshje shtëpinë politike. Thuajse shtëpia jote politike ku ti ishe deputet ishte e shenjtë.

Sot flet për Rugovë, dje e anatemoje.

Sot thërret Adem Jasharin, sikur të ishte pronë retorike për krizë politike.

Adem Jashari ,Sali Çekaj dhe Zahir Pajaziti nuk ranë heroikisht që emrat e tyre të përdoret si dekor për statuse përçarëse.

Ata nuk u flijuan që sot dikush të kërcënojë me armë votën, mendimin ndryshe dhe demokracinë.

Nëse Adem Jashari,Salih Çekaj,Zahir Pajaziti do të flisnin sot, me siguri nuk do ta kishin gjuhën tënde.

Dhe ndërkohë që ndan çertifikata patriotizmi për të tjerët, hesht për raportet, takimet dhe kafenetë e shpeshta me Fatmir Shehollin — figurë për të cilën prej vitesh janë ngritur dyshime serioze për lidhje me shërbimet serbe. A e dinë pse Fatmir Sheholli është sot në burg?

Fotot nuk janë trillim.

Takimet nuk janë shpifje.

Heshtja, në raste të tilla, nuk është virtyt është zgjedhje.

Ironia më e madhe?

Ata që kërcënojnë sot me armë në emër të shtetit, janë pikërisht ata që nuk i besojnë votës.

Dhe ai që nuk i beson votës, nuk i beson as popullit për të cilin thotë se ka luftuar.

Prandaj pyetja nuk është kush është “tradhtar”.

Pyetja është shumë më e thjeshtë dhe shumë më e rrezikshme për ty:

Kush po i përdor heronjtë dhe për çfarë?

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit