Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi ka folur për herë të parë në detaje lidhur me takimin që kishte pasur me personin e njohur në rrjetet sociale si “Lule Xheli”, emri i të cilit është bërë temë e diskutimeve publike pas nisjes së denoncimeve në Prokurorinë Speciale.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Abazi tha se takimi kishte ndodhur në vitin 2021 në Delaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se në atë kohë nuk kishte dijeni për lidhjet që, sipas tij, personi kishte me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Tani, në atë kohë, do të thotë në vitin 2021, sikurse kam realizuar dhe vazhdoj edhe sot të realizoj takime me qytetarë të të gjitha rangjeve, niveleve, profesioneve e preokupimeve, jam takuar edhe me ‘Lule Xhelin’ në Delaware, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimisht ishte një bisedë që dukej miqësore dhe me interes të përbashkët, por më vonë u përkthye në një proces kornizimi (framing), siç quhet në gjuhën politike dhe mediale. Më pas u kuptua se personi që qëndron pas kësaj llogarie në rrjetet sociale është një agjent i Lëvizjes Vetëvendosje dhe përdoret, sikurse shumë të tjerë, për propagandë, kornizim, denigrim dhe shantazhim, varësisht nga nevojat e tyre, duke vepruar nga pozicionet e identiteteve të fshehura. Ky është një prej tyre”, deklaroi Abazi.
Ai shtoi se dëshminë e tij në Prokurorinë Speciale nuk e ka dhënë vetëm për personin që qëndron pas emrit “Lule Xheli”, por për fenomenin që, sipas tij, dëmton rëndë individët që nuk ndajnë të njëjtat bindje politike me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Dëshminë time në Prokurorinë Speciale e kam dhënë pikërisht për këtë arsye, jo për ‘Lule Xhelin’ si emër i përveçëm, por për fenomenin që është shkatërrues për personalitetet që nuk mendojnë njëjtë si Kurti dhe për proceset që nuk janë në përputhje me bindjet dhe ideologjinë e tij. Lufta speciale që është zhvilluar për gjashtë vite ndaj individëve dhe proceseve të rëndësishme – kur flas për individë kam parasysh edhe figura vendore, edhe diplomatë e zyrtarë të huaj – është pikërisht makineria fashiste e Kurtit për të denigruar njerëz dhe procese që ai ose nuk i beson, ose i konsideron kundërshtarë”, u shpreh Abazi.
Ai përgëzoi Prokurorinë Speciale për nisjen e hetimeve, duke thënë se tashmë po shihen efektet e para.
“E përgëzoj Prokurorinë Speciale për këtë nismë, sepse efektet e para tashmë janë të dukshme. Shumë llogari me identitete të fshehura janë duke u mbyllur ose tashmë janë mbyllur. Besoj se zbatimi i ligjit do ta pastrojë skenën nga fyerjet, sharjet, përçarjet dhe denigrimi, që janë probleme thelbësore për demokracinë dhe funksionimin e shtetit tonë”, tha ai.
Duke folur për motivin e takimit me personin që qëndron pas llogarisë “Lule Xheli”, Abazi tha se ai ishte prezantuar si një veprimtar shqiptar në Shtetet e Bashkuara me qasje në informacione të ndjeshme dhe se vetëm gjatë bisedës kishte nisur të dyshonte për natyrën e pyetjeve që po i bëheshin.
“Jo, nuk e kam ditur se ka qenë agjent i Lëvizjes. E gjithë biseda ishte prezantuar si takim me një veprimtar shqiptar në Amerikë, i cili kishte punuar për institucione të ndjeshme, kishte qasje në informacione sensitive për Ballkanin dhe çështje të tjera. Nuk e kam ditur se ishte agjent i kujtdo. Po ta dija, nuk e di nëse do të isha takuar me të, por edhe nëse do të ndodhte, do të isha shumë më eksplicit. Që në ditën e takimit kam kuptuar se pyetjet që po bëheshin kishin karakter provokues. Megjithatë, ne si politikanë dhe njerëz të marrëdhënieve ndërkombëtare me përvojë të gjatë kemi hasur edhe më parë në njerëz të tillë. Se si dikush i interpreton, i paketon apo edhe i falsifikon përgjigjet për interesa të brendshme, kjo është çështje tjetër”, deklaroi ai.
Në fund, Abazi tha se për të është me rëndësi që çdo dyshim mbi veprimtarinë e tij politike dhe publike të sqarohet deri në fund.
“Ajo që është më e rëndësishme për mua është që çdo dyshim i ngritur ndaj veprimtarisë sime si politikan dhe si pjesëtar i kësaj shoqërie të dekonstruktohet deri në fund. Me durim, e vërteta del në shesh. Edhe kjo makineri, që unë e quaj makineria fashiste e Kurtit, do të ekspozohet gjithandej. Edhe ata që janë në Norvegji duke punuar intensivisht, të fshehur prapa portaleve dhe identiteteve të rreme, edhe ata që veprojnë në pjesë të tjera të Evropës, dalëngadalë do të zbulohen, për t’u parë se Kurti është vetëm një siluetë e falsifikuar që mbrohet përmes sharjeve dhe fyerjeve të llogarive pa identitet”, përfundoi Abazi.








