Ka shumë mënyra, më shumë apo më pak origjinale dhe të efektshme, për të matur cilësinë e kohës që jetojmë. Revista britanike ‘The Economist’, për shembull, prej vitesh mat inflacionin dhe fuqinë blerëse në vende të ndryshme duke analizuar çmimin e një Big Mac-i të McDonald’s.
Në Uashington, për të matur nivelin e alarmit ushtarak në Pentagon, përdoret “Pentagon Pizza Meter”, me bindjen se rritja e porosive të ushqimit të shpejtë për zyrë tregon shkallën e krizës.
Dhe, në mënyrën e vet, ndoshta më pak serioze por padyshim më domethënëse, edhe kandidaturat për çmimin Nobel për Paqen shërbejnë si tregues i kohës.
Kjo nuk do të thotë se çmimi nuk ka pasur fitues të denjë. Të gjithë kujtojmë Martin Luther King, Nënë Terezën, Nelson Mandelën, apo organizata si Kryqi i Kuq, Amnesty International dhe Mjekët Pa Kufij. Por, njësoj mirë, kujtohen edhe emra që nuk e meritonin. Si presidenti amerikan Theodore Roosevelt, i nderuar në 1906, një nxitës fanatik i luftës kundër Spanjës në Kubë, që themeloi një batalion të posaçëm dhe shprehej për vendasit amerikanë me fjalët: “Nuk mendoj se indianët e mirë janë vetëm ata të vdekur, por nëntë nga dhjetë janë të tillë”. Politika e tij e jashtme? Quhej “politika e shkopit të madh”, sidomos në Amerikën Latine. Apo Barack Obama, i sapo zgjedhur president, që mori çmimin pa bërë asgjë për paqen, për të nisur më pas disa luftëra. Yasser Arafat e Shimon Peres janë shembuj të tjerë të dyshimtë. Dhe ndërkohë Mahatma Gandhi, i nominuar disa herë, nuk e fitoi kurrë. Madje në vitin 1948, kur u vra, çmimi nuk u dha “për mungesë kandidatësh të denjë të gjallë”.
Por, Nobeli për Paqen ka qenë gjithmonë i tillë. Por kandidaturat flasin shumë për momentin në të cilin ndodhemi. Dhe ky moment është i zymtë. Dy profesorë izraelitë, Shalom Sadik dhe Amos Azaria, kanë propozuar si kandidate Daniella Weiss, drejtore e lëvizjes së kolonëve “Nachala”, e njohur si “nëna e kolonëve”. Bijë e dy anëtarëve të grupit terrorist Lehi (Banda Stern), përgjegjës për masakrën e Deir Yassin në 1948, Daniella ka qenë kryetare e një vendbanimi të paligjshëm në Bregun Perëndimor për 11 vjet dhe është arrestuar disa herë për sulm ndaj policisë izraelite. Në vitin 2024, Kanadaja e sanksionoi për dhunë ndaj palestinezëve, ndërsa në 2025 të njëjtin veprim e mori edhe Britania e Madhe.
Pak javë më vonë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i lumtur për mbështetjen amerikane në luftën e tij ndaj Iranit, doli me një propozim tjetër: çmimi Nobel për Paqen për Donald Trump. Fantastike. Trump, në vitin 2018, hodhi poshtë marrëveshjen bërthamore me Iranin, të nënshkruar në 2015, dhe në vitin 2025 urdhëroi bombardime ndaj Iranit që ai vetë e kishte shtyrë drejt garës për armë bërthamore, edhe pse e dinte se nuk kishte as bomba e as uranium të mjaftueshëm për t’i ndërtuar. Po pastaj, ai i dha Izraelit tonelata bombash për të vazhduar ofensivën ndaj palestinezëve. Detaje të vogla, apo jo?
Dhe, sepse çdo tragjedi ka dhe dozat e saj të farsës, dikush po bëhet qesharak edhe në Itali. Fosco Giannini, ish-senator i Rifondazione Comunista dhe sot drejtues i lëvizjes Rinascita Comunista, ka propozuar për Nobel… Vladimir Putinin. Po, pikërisht ai që para se të shkatërronte Çeçeninë, u shpreh: “Do t’ju ndjekim edhe në tualet”. Dhe pastaj Ukraina? Epo, le të mos i bëjmë shumë analizat…
Në frymën e kohës dhe mungesës së turpit, po paraqes edhe unë një kandidaturë. S’kam të drejtë formale, por besoj se kam emrin e duhur: Mohammed al-Sharaa, dikur i njohur si Al-Jolani, sot president i përkohshëm i Sirisë. Po, ka qenë bashkëpunëtor i Abu Bakr al-Baghdadit të ISIS dhe pastaj i Ayman al-Zawahirit të Al Kaedës. Por tani, me përkrahjen e Erdoganit dhe Turqisë, ka marrë një pjesë të Sirisë, ka veshur kostum dhe pëlqehet nga të gjithë. Jam i sigurt që dikush do ta quajë edhe këtë “njeri paqeje”.
Nëse keni arritur të lexoni deri këtu, dhe keni kuptuar që nuk është një shaka, që këto kandidatura janë reale dhe që nëse këta janë pretendentët për çmimin Nobel për Paqen, atëherë jetojmë vërtet në kohë të ndyra… keni plotësisht të drejtë.










