HAGA DUHET NDAL, ME ZHBËRJEN E BAZËS SË SAJ FUNKSIONUESE

Shkruan Hisen Berisha

Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen janë gjyqtarët e caktuar në Panelin e Apelit në rastin e krerëve të UÇK-së. I njëjti përbërës i Panelit ka qenë i angazhuar edhe në rastet tashmë të përfunduara me vendime dënuese përfundimtare.

Kur analizoj performancën e këtij Paneli në rastet ku ka vepruar si gjykatë apeli, mbetem pa ekuivok në qëndrimin tim se çështja e Hagës nuk duhet të lihet të ecë deri në fund, duke pritur pasivisht se çfarë do të prodhojë ky proces. Duhet ndërhyrje direkte shtetërore për zhbërjen e bazës funksionuese të këtyre Dhomave.

Sepse këtu nuk kemi më vetëm një çështje të individëve që ndodhen në Hagë.

Kemi një proces që, në vlerësimin tim politik, rrezikon të prodhojë pasoja shumë më të mëdha, pra, delegjitimimin e luftës së UÇK-së, kriminalizimin e mjeteve dhe rrugës përmes së cilës u çlirua Kosova dhe, përfundimisht, goditjen e vetë themelit politik mbi të cilin është ndërtuar Republika e Kosovës.

Pikërisht këtu qëndron rreziku që nuk guxojmë ta injorojmë.

Caktimi dhe funksionimi i këtij ekipi gjyqtarësh, parë në kontekstin e vendimeve të tyre në çështjet e mëparshme, më forcon bindjen se nuk duhet të presim që procesi të përfundojë për të kuptuar pasojat e tij.

Sepse, nëse fillimisht dënohet rruga, organizimi dhe mjetet e luftës së UÇK-së, atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me dënimin e disa individëve. Krijohet një bazë e re politike dhe juridike për të rishkruar historinë e Kosovës dhe për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e projektit shtetëror që doli nga ajo luftë.

Dhe këtu shfaqet edhe rreziku i madh politik për të ardhmen.

Nëse rruga dhe mjetet e UÇK-së shpallen kriminale, kujt i hapet rruga për ta shkruar versionin e ri të historisë politike të Kosovës?

Kush do të përfitojë nga kjo?

Kush do ta përcaktojë se çfarë është “e drejtë” ndërkombëtare dhe çfarë është “e padrejtë” në historinë e shtetformimit të Kosovës?

Sepse ekziston një skenar politik që duhet marrë seriozisht si rrezik, sepse pas delegjitimimit të luftës së UÇK-së të krijohen premisa për një riformatim të projektit politik të Kosovës, të paketuar nën emërtimin “Republika e Tretë”, e deri te ideja e një konfederate serbo-shqiptare.

Pikërisht këtu duhet të jemi të qartë.

Unë nuk po them se një rezultat i tillë është vendosur apo se është provuar një plan i tillë. Por në ketë drejtim qojnë të gjitha veprimet dhe vendimet politike të këtyre viteve të dekades së dytë të këtoj shekulli, “rrëshqitje” të cilën e kam paralajmëruar edhe nga foltorja e Kuvendit të Kosovës. Rrezik që po e konfirmon edhe paralajmërimi i ish- shefit të NATO-s z. Robertson.

Ndaj, po paralajmëroj për pasojën politike që mund të krijohet nëse Kosova lejon që legjitimiteti i luftës së saj çlirimtare dhe i mjeteve me të cilat u arrit liria të përcaktohet përfundimisht nga procesi i Hagës.

Prandaj nuk mjafton më të themi veç: “Të presim vendimin e Apelit.”

Jo! Kosova duhet të vendosë vetë për bazën institucionale të këtyre Dhomave.

Dhe këtu lind edhe një pyetje tjetër institucionale, që sugjeron veprim.

Nëse Senati i Shteteve të Bashkuara e thërret Jack Smith-in në dëgjim për të dhënë llogari për veprimtarinë e tij si prokuror i posaçëm në SHBA, pse Kuvendi i Kosovës të mos kërkojë llogari nga i njëjti Jack Smith për veprimtarinë e tij si Specialist Prosecutor i Dhomave të Specializuara të Kosovës? Ai e ka mbajtur këtë detyrë nga viti 2018 deri më 2022.

Nëse sot ngrihen kaq shumë pikëpyetje politike e institucionale rreth mënyrës se si është ushtruar ky mandat dhe rreth pasojave që ka prodhuar procesi në Hagë, Kuvendi i Kosovës nuk duhet të kufizohet vetëm në deklarata politike. Duhet të përdorë mekanizmat e tij institucionalë e kushtetues për të kërkuar përgjegjësi dhe sqarime. Kjo do të ishte një pjesë e natyrshme e veprimit shtetëror që po kërkoj, pra, jo vetëm të presim çfarë do të vendosë Apeli, por të kërkojmë llogari për mënyrën se si është ndërtuar dhe zhvilluar i gjithë ky proces.

Nëse Kuvendi i Kosovës i krijoi përmes një procedure kushtetuese dhe ligjore, atëherë Kuvendi duhet të ketë edhe vullnetin politik për të inicuar zhbërjen e tyre përmes rrugës përkatëse institucionale.

Kjo është çështja që duhet të shtrohet sot.

Jo nesër, pasi të jenë dhënë të gjitha vendimet.

Jo pasi të jetë prodhuar një histori e re juridike për UÇK-në.

Jo pasi të jetë krijuar një realitet i ri politik mbi bazën e atyre vendimeve.

Sot! Sepse kur një proces mund të prekë jo vetëm fatin e disa individëve, por edhe interpretimin e luftës së UÇK-së dhe themelet politike të Republikës së Kosovës, përgjigjja nuk mund të jetë vetëm pritja.

Duhet veprim shtetëror.

Dhe ky veprim duhet të fillojë në Kuvendin e Kosovës, pra, INICIATIVA PËR ZHBËRJEN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA.

Sepse, nëse nuk e mbrojmë vetë bazën politike dhe shtetërore të Republikës së Kosovës, të tjerët do të na ofrojnë një “zgjidhje” për të ardhmen e saj. Dhe atëherë mund të jetë tepër vonë. 

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit