Shkruan: Emanuel DEMAJ
Këto zgjedhje lokale e zhveshën nga çdo iluzion mitin e “të guximshmëve” dhe “alternativistëve”. U pa qartë se pas gjithë fjalëve për pavarësi, ide e vizion, Guxo e Alternativa s’janë gjë tjetër veçse vegza të vogla nën ombrellën e madhe të Vetëvendosjes.
Sepse kur ke guxim, del me logon tënde.
Këta jo. Ata zgjodhën të fshihen pas hijes së “Babës Albin”, me shpresën se ndoshta ndonjë rreze e tij do t’u binte edhe atyre. Ata që dolën me logon e tyre, u tretën në listat e humbësve, aq sa duhej mikroskop për t’i gjetur.
Vetëvendosje, ndërkaq, po shndërrohet në fabrikë shkrirjesh politike: kush futet brenda, ose shkrihet në masën e kuqe, ose hidhet në mbeturina. Pjesët “e nevojshme” riciklohen si militantë të devotshëm, ndërsa të tjerët, të padobishmit, të harruarit, përfundojnë në koshin e historisë.
Dhe ironia më e madhe?
Sot disa nga këta “guximtarë” dalin nëpër studio e mburren se njëri prej tyre paska fituar në Mitrovicë. Po harruan të përmendin diçka të vogël, por thelbësore: ai fitoi pa logon e tyre!
Në fund të ditës, “guximi” i tyre mbaron aty ku fillon fotografia e Albin Kurtit.
Sepse në këtë fabrikë, kush nuk shkrihet, hidhet.






