Pesëmbëdhjetë vjet pas vrasjes së Diana Kastratit, u ngrit aktakuza në mungesë për rastin e saj. Mirjeta Zeka-Shabani është e zhdukur prej shtatë vjetësh, ndërsa hetimet për rastin e saj janë të pezulluara që nga viti 2023.
Këto janë dy nga pesë rastet e vrasjes ose zhdukjes së grave në Kosovë që Radio Evropa e Lirë i shqyrtoi për të kuptuar pse drejtësia vonon me vite, deri ku kanë arritur hetimet dhe gjykimet dhe çfarë përgjegjësie kanë mbajtur zyrtarët në rastet kur është konstatuar se institucionet kishin dështuar t’i mbronin gratë.
Mirjeta Zeka-Shabani: Shtatë vjet pas zhdukjes, hetimet mbeten të pezulluara
Mirjeta Zeka-Shabani është e zhdukur që nga viti 2019. Ajo u pa për herë të fundit nga vëllai i saj në fund të marsit të atij viti, në shtëpinë e saj në Sfaracak të Vushtrrisë. Mirjeta jetonte me bashkëshortin në Gjermani.
Rreth katër muaj më vonë, vëllai e raportoi zhdukjen e saj në polici, pasi nuk kishte arritur të komunikonte as me motrën, as me bashkëshortin e saj. Deri atëherë, ai kishte menduar se çifti ishte kthyer në Gjermani një ditë pas vizitës në mars.
Hetimet për këtë rast, të cilin Prokuroria e trajton si vrasje të rëndë, janë pezulluar që nga korriku i vitit 2023.
Bashkëshorti i saj ishte intervistuar si i dyshuar, por nuk ishte arrestuar asnjëherë.
Shtatë vjet pas zhdukjes së 41-vjeçares, hetimet për këtë rast janë ende të pezulluara.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës i tha Radios Evropa e Lirë [REL] se hetimet për këtë rast janë për veprën penale “vrasje e rëndë”, por që aktualisht janë të pezulluara “për shkak se ekzistojnë rrethana objektive të cilat përkohësisht e pengojnë zhvillimin e tyre.”
Avokati i familjes së viktimës, Amer Alija, thotë se prokuroria i pezulloi hetimet “me arsyetimin se duhet të intervistohen edhe disa dëshmitarë shtesë të cilët nuk jetojnë në Kosovë”.
Siç mëson REL, bëhet fjalë për disa familjare të bashkëshortit të viktimës, të cilat janë vendosur në listë ndalimi kufitar kurdo që të hyjnë në Kosovë.
Megjithatë, avokati Alija vlerëson se i gjithë rasti është përcjellë me neglizhencë institucionale, teksa thotë se rastin duhet ta marrë përsipër me një efikasitet më të lartë një prokurori tjetër.
“Rastin e Mirjeta Zekës ta marrin nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ta transferojnë në Prishtinë, të caktohet një prokuror i ri i rastit, të formohet një ekip hetues dhe të rihapen hetimet dhe besoj që me një efikasitet në hetime ky rast do të zbardhet”, tha ai për REL.
Donjeta Pajazitaj: I akuzuari u lirua, familja ende pret përgjigje
Rasti i Donjeta Pajazitajt, e cila u vra në nëntor të vitit 2015 në Strellc të Deçanit, kaloi nëpër disa procese gjyqësore para se Gjykata Supreme ta lironte përfundimisht nga akuza kushëririn e saj, Naser Pajazitaj, më 6 prill 2023.
Tani 11 vjet pas vrasjes së saj, askush nuk është i dënuar apo i arrestuar.
Pas vendimit lirues ndaj Pajazitajt, prokurorja e rastit e kishte dërguar një provë për ekzaminim në Byronë Federale të Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi e njëjta nuk kishte mundur të ekzaminohej në Turqi.
Prokuroria Themelore në Pejë i tha Radios Evropa e Lirë se ende nuk ka pranuar rezultatet e ekzaminimit të kësaj prove.
“Pas pranimit të rezultateve, prokurorja e çështjes do t’i analizojë ato dhe, varësisht nga përmbajtja dhe rëndësia e tyre, do të ndërmarrë veprimet e mëtejshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.
FBI-ja amerikane ka refuzuar të komentojë për Radion Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje.
Për familjen e Donjetës, pritja për përgjigje është bërë një tjetër barrë.
Vëllai i Donjetës, Shkëlqim Pajazitaj, thotë se kanë kaluar më shumë se dy vjet që kur janë njoftuar nga prokuroria se një video-inçizim është dërguar për ekzaminim tek FBI, por ende nuk kanë marrë rezultat.
“Rasti i Donjetës po duket se ka mbetur në harresë krejt nga institucionet përkatëse”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Familja, sipas tij, ndihet e pafuqishme për të kërkuar vazhdimisht përgjigje nga institucionet.
Pajazitaj thotë se ka edhe dyshime për mënyrën se si policia e kishte trajtuar zhdukjen e motrës së tij, trupi i së cilës ishte gjetur gjashtë javë më vonë.
“Sikur të vepronin policia e Deçanit me më shumë urgjencë në atë kohë ndoshta do ta kishim pasur sot gjallë Donjetën”, thotë ai për REL.
Diana Kastrati: 15 vjet pritje për një proces gjyqësor
Më shumë se 15 vjet pas vrasjes së Diana Kastratit në Prishtinë, ka nisur procesi gjyqësor për rastin e saj.
Më 22 tetor 2026, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë në mungesë ndaj ish-partnerit të saj me të cilin kishte bashkëjetuar, Adnon Jasharin.
Ai akuzohet për vrasjen e Dianës me armë zjarri më 18 maj 2011 dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Nisja e gjykimit në mungesë ndaj Jasharit i cili ndodhet në arrati tash e 15 vjet për familjen e Dianës është një hap përpara, por jo përfundimi i rrugëtimit për drejtësi.
Avokati i familjes së saj, Korab Sejdiu ngre pikëpyetje nëse shteti ka shteruar të gjitha mundësitë institucionale e juridike për ta kapur të akuzuarin.
“Pas 15 vjetësh, kemi të drejtë të pyesim jo vetëm se çfarë është bërë, por edhe nëse është bërë gjithçka që ka qenë e mundur për ta sjellë të akuzuarin para drejtësisë”, thotë Sejdiu për REL-in.
Për vite me radhë, një nga pengesat për zhvillimin e procesit gjyqësor ishte pamundësia e ekstradimit të të akuzuarit nga Spanja, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Diana Kastrati ishte 27 vjeçe kur u vra nga ish-partneri me të cilin kishte një vajzë dhe kishte disa muaj që ishte zhvendosur të jetonte në shtëpinë e prindërve.
Pasi prindërit e Dianës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese në vitin 2013, kjo e fundit konstatoi se mosveprimi i Gjykatës në Prishtinë kishte shkelur të drejtën e saj për jetë dhe të drejtën për mjete juridike efektive.
Por, sipas Sejdiut, këto procedura nuk e zëvendësojnë përgjegjësinë penale dhe nevojën që rasti të marrë një epilog gjyqësor.
Thirrjet e grave për mbrojtje që morën veç vrasjen si përgjigje
Mbi pesë vjet më parë, Sebahate Morina ishte vrarë nga ish-bashkëshorti i saj, pak muaj pasi i kishte skaduar urdhri për mbrojtje.
Në mars të vitit 2023, dy vjet pas vrasjes së Sebahates, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Policia e Graçanicës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kishin dështuar në detyrimin për ta mbrojtur jetën e Sebahates.
Sipas aktgjykimit, këto institucione nuk kishin reaguar menjëherë, nuk kishin bërë vlerësim të mirëfilltë të rrezikut dhe nuk kishin ndërmarrë masa parandaluese, ndonëse kishin ose duhej të kishin dijeni për rrezikun ndaj jetës së saj.
Pas aktgjykimit të Kushtetueses, ndaj prokurores së rastit u iniciua procedurë disiplinore. Ajo u dënua me ulje të pagës prej 30 për qind për një vit.
Por, për Fatmir Morinën, vëllain e Sebahates, kjo masë nuk ishte në përputhje me pasojat e neglizhencës së evidentuar.
“Përveç që na mungon [Sebahatja], kemi dhe pengun që drejtësia nuk u vu në vend, ashtu siç do të duhej. Prokurorja e rastit nuk e mori dënimin e merituar, ajo u dënua vetëm me ulje të pagës për 30 për qind, për një vit. Ky ishte, do të thotë, dënimi për humbje jete”, thotë ai.
Ai tregon se familja është edhe më e pakënaqur që asnjë zyrtar policor nuk u ndëshkua apo shkarkua për rastin e motrës së tij.
“Është e tmerrshme të kërkosh ndihmë në polici dhe të mos marrësh përgjigje, është e tmerrshme të mos kesh ku të drejtohesh, kur je në hall, aq më keq kur kërcënohesh për jetën”, thotë Morina. “Duhet të ketë jo vetëm shkarkime, por edhe dënime sipas peshës së lëshimit që e kanë bërë”.
Edhe për Arrita Rezniqin nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ekzistenca e mekanizmave disiplinorë dhe nisja e hetimeve nuk janë dëshmi e llogaridhënies, nëse ato nuk përfundojnë me përgjegjësi konkrete.
Ajo thotë se masa ndaj prokurores në rastin e Sebahate Morinës ishte e pamjaftueshme dhe joproporcionale me rëndësinë e shkeljeve dhe pasojat e tyre.
“Mungesa e pasojave për neglizhencën e vërtetuar, sikurse edhe masat e pamjaftueshme, kontribuojnë drejtpërdrejt në përsëritjen e dështimeve. Ato krijojnë bindjen te zyrtarët se mospërmbushja e detyrimeve ndaj viktimave të dhunës në familje mund të kalojë pa pasoja serioze ligjore dhe profesionale”, thotë Rezniqi për REL.
Sipas saj, problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e mekanizmave për të ndëshkuar zyrtarët, por edhe te mënyra se si disa prej tyre i trajtojnë gratë që kërkojnë mbrojtje.
“Zyrtarë të caktuar e shohin si problem gruan që raporton dhunën, vënë në dyshim kërkesën e saj për drejtësi dhe relativizojnë përgjegjësinë e dhunuesit. Kur veprimet dhe mosveprimet që burojnë nga kjo mendësi nuk hetohen dhe nuk ndëshkohen, këto praktika përforcohen dhe vazhdojnë të cenojnë sigurinë e grave”, thotë ajo.
Tri ditë para se të vritej, Arlinda Zekaj iu drejtua kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, me një ankesë për mënyrën se si institucionet e kishin trajtuar rastin e saj.
Ajo kërkoi masa urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin neglizhuar detyrat zyrtare dhe paralajmëroi se jeta e saj ishte në rrezik. E, prapëseprapë, tri ditë më vonë, u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës.
I dyshuar për vrasjen e saj, dhjetë minuta pasi ishte shoqëruar në shtëpinë e saj nga zyrtarë policorë, është kunati i saj, tani në paraburgim.
Në ditët pas vrasjes, 11 zyrtarë policorë u suspenduan, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje. Edhe kryeprokurorja e Pejës dhe prokurorja e rastit u suspenduan.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka formuar një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar përgjegjësinë dhe veprimet e institucioneve në këtë rast. Përfaqësues të qeverisë kanë bërë disa herë thirrje jo vetëm për masa disiplinore, por edhe për përgjegjësi penale të atyre që kanë neglizhuar thirrjet e Zekajt për ndihmë.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Inspektoratin Policor të Kosovës, Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor për të dhëna mbi hetimet dhe masat disiplinore ndaj zyrtarëve në raste të ngjashme.
Prej tyre është përgjigjur vetëm Këshilli Gjyqësor, që ka thënë se “që nga viti 2021 deri më tani nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për fillimin e hetimeve disiplinore” për raste të tilla dhe ka sqaruar se të dhënat mbi hetimet apo sanksionet disiplinore fshihen pas pesë vjetëve, përveç kur evidentohet shkelje e qëllimshme e ligjit ose vepër e rëndë penale.
Ndërkohë, përgjigjet që familjet e grave të vrara kërkojnë prej vitesh ende mungojnë, ndërsa disa raste vazhdojnë të mbeten pa një epilog të qartë.









