Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka hyrë në historinë e futbollit zviceran, duke regjistruar një tjetër arritje të madhe në Kampionatin Botëror 2026.
Xhaka sonte zhvilloi paraqitjen e tij të 13-të me fanellën e kombëtares së Zvicrës në kuadër të Kampionatit Botëror, duke kaluar edhe Xherdan Shaqirin, i cili prej kohësh është pensionuar nga kombëtarja zvicerane.
Me paraqitjen në sfidën ndaj Katarit, kapiteni zviceran u bë futbollisti me më së shumti ndeshje të luajtura për Zvicrën në histori të kampionateve botërore.
Megjithatë, Xhaka nuk është i vetëm në krye të kësaj liste, pasi të njëjtin rekord e ndan edhe Ricardo Rodriguez.
Të dy tashmë numërojnë nga 13 paraqitje në Botëror, duke lënë pas rekordin e mëparshëm që mbahej edhe nga Xherdan Shaqiri.
Granit Xhaka vazhdon të jetë një nga figurat kryesore të kombëtares së Zvicrës, e cila synon të arrijë sa më larg në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.










