Gjykimi për vrasjen e argjentinases në Fushë-Kosovë, shfaqen video-incizime nga nata kritike – çfarë u tha në seancën e djeshme

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Endrit Nika po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë, të martën u dëgjua eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili duke dhënë detaje lidhur me raportin e autopsisë së viktimës, tha se disa lëndime nuk lidhen me rënien nga lartësia.

Në seancë u shfaqën edhe video-incizimet e natës kritike, ndër tjera edhe momenti kur viktima bie nga kati i gjashtë i hotelit, e më pas shihet i akuzuari teksa del në vendngjarje.

Eksperti Gërxhaliu deklaroi se qëndron pas raportit të autopsisë të datës 19 shtator 2023, duke shtuar se në këtë rast, ekspertët nuk kanë dalë në vendin e ngjarjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Eksperti sqaroi lëndimet që janë konstatuar në trupin e viktimës, duke theksuar se janë lëndime të shumta.

“Janë lëndime të shumta të madhësive të ndryshme, duke filluar nga 2×2 mm e deri 23×4 mm. Të njëjtat pra janë të formatit të përafërt dhe të gjitha pjesët e përshkruara më lartë dhe konsistojnë në dëmtimin e indit lëkuror nga copëzat apo grimcat e qelqit, kurse në brendësi të trupit janë vërejtur edhe fraktuara të shumta të kockave të pelvikut multi-fragmentar apo shumë pjesëve si pasojë e rënies nga lartësia”, tha Gërxhaliu.

Ai theksoi se disa lëndime nuk lidhen me rënien. Tha se lëndimet e konstatuara në kofshën e djathtë të epërme nuk ndërlidhen me rënien nga lartësia, por janë shkaktuar nga goditja me mjet të fortë mprehtës.

Sipas tij, lëndimi i konstatuar në pjesën fundore të gjurit është me përmasa më të vogla dhe një tjetër në pjesën e brendshme të gjurit të majtë me madhësi 25-30 mm, e cila është shkaktuar nga goditja me mjet të fortë mprehtës dhe nuk mund të jetë shkaktuar nga rënia.

Ai përjashtoi mundësinë që këto lëndime të jenë shkaktuar nga kontakti me gurë apo sipërfaqe të forta në vendin e ngjarjes, duke theksuar se nuk ka pasur informacione për përmbajtjen e vendit ku ka ndodhur ngjarja.

Gërxhaliu tha se grimcat e xhamit kanë qenë të pranishme në dysheme para rënies së viktimës dhe sikur ta kishte thyer dritaren me trupin e saj, do të kishte lëndime e prerje të tjera.

Më pas, seanca vazhdoi me shikimin e video-incizimit nga vendi i ngjarjes në natën kritike, ku sipas prokurorit Armend Hamiti nga ato pamje vërehen raportet e acaruara mes të akuzuarit dhe viktimës.

Prokurori sqaroi se në video-incizim shihet se para hotelit tek automjeti, i akuzuari sulmon viktimën.

“Kur i shohim fotografitë nga vendi i ngjarjes, shohim se ka pas një përleshje në tokë, që gjatë kësaj kohe ka arrit i akuzuari Endrit që të qes të gjithë ramin e xhamit nga vendi dhe së bashku me M., t’i gjuajë në tokë. Me këtë rast, është kryer edhe vepra penale për të cilën akuzohet’’, shtoi prokurori Hamiti.

Sipas tij, është fakt i pakontestueshëm se në dhomë kanë qenë vetëm i akuzuari Nika dhe tani e ndjera, e cila nuk kishte pasur dikë më të afërt.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Nika, avokati Drilon Imeri deklaroi se pjesa më e madhe e provave të administruara nga Prokuroria paraqesin një tendencë për ta paraqitur çështjen si voluminoze, pa pasur relevancë faktike.

Sipas Imerit, prova janë të papranueshme dhe nuk paraqesin asnjë fakt vendimtar që vërteton fajësinë e të akuzuarit. Tha se në kuptim të mbrojtjes ka vërejtje për provat e administruara.

Sa i përket video-incizimit, avokati deklaroi se do të japë qëndrim më të detajuar në fjalën përfundimtare.

Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit