Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e prokurorisë Speciale, për paraburgim ndaj tre të dyshuarve të cilët u kapën 1 milion euro në Merdarë.
Aty thuhet se arsyeja kryesore për refuzimin e paraburgimit ishte mungesa e provave të paraqitura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për të mbështetur dyshimin e bazuar ndaj tre të pandehurve.
Prokurori special në këtë rast ishte Shenaj Berisha.
Gjykata konstatoi se në kërkesën e Prokurorisë nuk ishte përmendur asnjë provë, qoftë edhe sipërfaqësore, që do ta mbështeste pretendimin se të pandehurit E.A., A.K. dhe A.L. kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.
“Gjyqtari i procedurës paraprake përmes aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa të pandehurit janë liruar menjëherë nga momenti i dorëzimit të këtij aktvendimi. Gjykata gjeti se nuk përmbushet kushti thelbësor nga neni 184, paragrafi 1, pika 1.1 e KPPRK-së, pasi Prokuroria nuk arriti të vërtetojë ekzistimin e dyshimit të bazuar”, thuhet në reagim.
Tutje, sipas Gjykatës, kërkesës për paraburgim nuk i janë bashkëngjitur as provat minimale për këtë fazë të procedurës, si procesverbali i kontrollit të automjetit apo vërtetimi për sekuestrimin e sendeve, të cilat konsiderohen thelbësore për të krijuar bazë ligjore për caktimin e kësaj mase.
“Andaj, në mungesë të materialit provues, gjykata është e obliguar të zbatojë nenin 163, paragrafi 3 të KPPRK-së dhe të lirojë të pandehurit E.A., A.K. dhe A.L.”, theksohet në njoftim.
Kujtojmë se Gazeta ka raportuar ekskluzivisht se të dyshuarit janë lënë të lirë.
Gjyqtari që mori këtë vendim ishte Leon Perleska.
I përfshirë në rast është efektivi i Policisë së Shtetit, Aurel Kaziu.
Kaziut dhe dy personave të tjerë iu janë gjetur rreth një milion euro të padeklaruara, pas kontrollit të automjetit përmes skanimit me rreze X.
“Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike. Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit”, thuhej në njoftim.









