Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj xhudistit Akil Gjakovës, i akuzuar për dhunë në familje në vitin 2024, ka bërë të ditur gjykata përmes një njoftimi zyrtar.
“Pas shqyrtimit gjyqësor, gjykata e liroi nga aktakuza të pandehurin A.Gj., në kuptim të nenit 363, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK). Shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të kësaj gjykate, ndërsa e dëmtuara S.M. udhëzohet që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në procedurë kontestimore civile”, thuhet në njoftim.
Xhudisti Gjakova ishte dorëzuar në prill 2024 në Polici pasi ishte shpallur në kërkim si i akuzuar nga bashkëshortja e tij për dhunë në familje.
Ajo kishte pretenduar se kishte përjetuar edhe dhunë psikike gjatë marrëdhënies.










