Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, para fillimit të Këshillit të 32-të Ministror të OSBE-së në Vjenë, ka deklaruar se do të mbrojë fuqishëm parimin e integritetit territorial dhe sovranitetit, sepse, sipas tij, “në rastin e Serbisë kjo dikur është shkelur”.
“Sapo kam mbërritur nga Uashingtoni në samitin ministror të OSBE-së në Vjenë, i cili po mbahet në një moment që mund ta përshkruajmë si pikë kthese sa i përket sigurisë evropiane. Mesazhi im do të jetë se na duhet më shumë, e jo më pak OSBE”, ka pretenduar ai.
Gjuriqi gjithashtu ka thënë se kjo organizatë e rëndësishme ndërkombëtare duhet të ruhet, në mënyrë që të mos vijmë pas dy ose tre vjetësh në situatën që të detyrohemi ta ndërtojmë prej fillimit.
“E kemi një mekanizëm që ekziston tashmë prej disa dekadash dhe që duhet të ringjallet. Ne këtu do të mbrojmë fuqishëm parimin e integritetit territorial dhe sovranitetit, sepse në rastin tonë e drejta ndërkombëtare dikur është shkelur,” ka pretenduar ai.






