Mes të gjitha pyetjeve të lëna pezull nga armëpushimi Iran-Izrael, një çështje del në pah si më themelorja, sepse nga ajo varen të gjitha të tjerat është se çfarë ndodhi me mbi 400 kilogramët e uraniumit të pasuruar në mënyrë të rrezikshme me 60% U-235, që ishte në posedim të regjimit të Khameneit?
Për të kuptuar se çfarë ka mbetur nga programi bërthamor iranian pas sulmeve ajrore të fuqishme të urdhëruara nga SHBA-të, duhet të shqyrtojmë të dhënat e pakta dhe shpesh kontradiktore që kemi.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili autorizoi përdorimin e 14 bombave GBU-57, më të fuqishmet për depërtim në thellësi, të njohura ndryshe si “shkatërruesit e maleve” deklaroi se sulmi ishte shkatërrues, madje e krahasoi me Hiroshimën.
Megjithatë, raportet e publikuara nga CNN dhe New York Times, duke iu referuar dokumenteve të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së, tregojnë se vendet e pasurimit të uraniumit nuk u shkatërruan plotësisht.
Kjo ka shkaktuar zhgënjim në Washington dhe në Tel Aviv, ku shërbimet sekrete izraelite vlerësojnë se programi ka pësuar një vonesë disa vjeçare, por jo një ndërprerje të plotë. Sipas disa ekspertëve kinezë, efekti i bombave ishte i kufizuar sepse thellësia maksimale që ato arrijnë është rreth 60 metra, ndërsa objekti më i rëndësishëm qendra e Fordow, ndodhet në një thellësi prej afërsisht 90 metrash.
Në mungesë të dëshmitarëve të pavarur dhe të besueshëm, e vetmja mënyrë për të kuptuar realitetin është të analizojmë të dhënat që njihen me siguri.
Irani ka tri qendra kryesore bërthamore, që nuk duhen ngatërruar me termocentralet për prodhimin e energjisë elektrike. Këto janë vende të pajisura me centrifuga që përdoren për pasurimin e uraniumit një proces që mund të ketë përdorim civil ose ushtarak, në varësi të fuqisë së pajisjeve dhe nivelit të pasurimit të arritur.
Qendra e parë është ajo e Natanzit, rreth 220 kilometra në juglindje të Teheranit, e cila përmbante afro 10,000 centrifuga që arrinin pasurim deri në 5%, brenda kufijve të një programi bërthamor civil sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), të cilin Irani e ka nënshkruar. Qendra e dytë, Fordow, është më e vogël në madhësi, por shumë më e rrezikshme: ndodhet në një zonë malore të fortifikuar, rreth 100 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit, dhe përmbante centrifugat më të fuqishme të afta për të pasuruar uraniumin deri në 60%, një nivel që i afrohet shumë pragut prej 90% të nevojshëm për ndërtimin e një bombe atomike. Pikërisht kjo qendër është konsideruar si zemra e ambicies ushtarake të Iranit. Qendra e tretë, ajo në Isfahan, është më e re dhe përmendet gjithnjë e më shpesh në analizat e shërbimeve sekrete si një vend i mundshëm për zhvendosjen e materialit pas bombardimeve.
Në ditët që pasuan sulmet, imazhet satelitore treguan lëvizje të pazakonta kamionësh pranë Fordow. Kjo ka ngritur dyshime të forta se një pjesë e uraniumit të pasuruar mund të jetë zhvendosur në Isfahan para ose pas goditjeve. Megjithatë, uraniumi i pasuruar nuk është i lehtë për t’u transportuar, si për arsye teknike, ashtu edhe për sigurinë që kërkon. Deri tani, askush nuk ka konfirmuar zyrtarisht nëse ky material është ende në vend, i dëmtuar, apo është fshehur diku tjetër.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e vetmja që ka juridiksion ndërkombëtar për inspektim, mbetet e përjashtuar nga terreni iranian. Drejtori i saj, Rafael Grossi, njoftoi se është informuar nga autoritetet iraniane se janë marrë “masa mbrojtëse” për uraniumin e pasuruar. Por mbetet e paqartë se çfarë nënkupton kjo gjuhë diplomatike është fjala për zhvendosje, fshehje, bllokim të mëtejshëm të pasurimit apo thjesht masa për të shmangur ndonjë rrjedhje radioaktive? Derisa inspektorët e IAEA-s të rifitojnë aksesin në qendrat bërthamore, këto mbeten spekulime.
Për të kuptuar rëndësinë e kësaj situate, duhet kujtuar se U-235 është izotopi i vetë uraniumit natyral që përbën më pak se 1% të masës së tij. Përmes procesit të pasurimit, ky izotop izolohet dhe përqendrohet. Një pasurim deri në 5% shërben për reaktorët civilë. Pasurimi deri në 20% është tashmë një kërcënim serioz, ndërsa 60% është vetëm një hap larg pasurimit të plotë ushtarak për armë bërthamore. Kjo është arsyeja pse pranimi i ekzistencës së uraniumit me pasurim 60% është një alarm ndërkombëtar.
Nuk ka dyshim që ambicia e regjimit iranian për të zotëruar një armë bërthamore është reale dhe e hershme. Ajo daton që nga vitet 1950, kur Irani ishte aleat i SHBA-ve dhe shihej si një pikë strategjike për të kundërshtuar ndikimin sovjetik në Lindjen e Mesme. Megjithëse programi ka kaluar nëpër ndërprerje, bllokime dhe negociata të pafrytshme, ai ka mbijetuar falë mbështetjes së elitës politike dhe ushtarake të vendit.
Sot, situata është më e turbullt se kurrë! Heshtja e autoriteteve iraniane, propaganda zyrtare, mungesa e inspektimeve të pavarura dhe ndërlikimet gjeopolitike e bëjnë të pamundur ndarjen e fakteve nga manipulimi. Mbetet për t’u parë nëse komuniteti ndërkombëtar do të arrijë të rifitojë kontrollin dhe transparencën mbi një nga programet më të ndjeshme bërthamore në botë përndryshe, rreziku i një përshkallëzimi të ri nuk është thjesht hipotetik./ Përshtatur nga Corriere della Sera






