Gjermania ka njoftuar se do të dërgojë dy sisteme të tjera raketore Patriot në Ukrainë, pas një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, që e mundëson që Berlini të jetë i pari në radhë për të marrë sistemet më të reja, në këmbim të mbështetjes për Kievin.
“Falë angazhimit të SHBA-së, Gjermania mund fillimisht të mbështesë Ukrainën me hedhës raketash dhe më pas me komponentë të tjerë shtesë të sistemit Patriot.”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në një deklaratë.
Sistemet e para Patriot do të dërgohen në ditët në vijim, ndërsa pjesët e tjera do të dorëzohen brenda dy ose tre muajve të ardhshëm, raporton Reuters.
Në këmbim, Berlini do të marrë sisteme të reja Patriot nga Shtetet e Bashkuara me një ritëm të përshpejtuar, për të cilat po siguron financimin vetë.








