Shtetasi kosovar, Osman Selmani, i arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Mutivodës, ishte duke u kthyer nga Medvegja për në Prishtinë.
Familjarët dhe miqtë e tij kanë bërë apel për ndihmë, duke kundërshtuar akuzat për krime lufte dhe duke i cilësuar ato si të pabazuara.
Sipas tyre, gjatë periudhës prill–qershor 1999, kur pretendohet se kanë ndodhur ngjarjet për të cilat akuzohet, Selmani ndodhej si refugjat në Kampin e Refugjatëve në Çegran të Gostivarit.
“Bazuar në informacionet që disponojmë, Osman Selmani ishte refugjat në Kampin e Refugjatëve në Çegran Gostivar gjatë periudhës për të cilën akuzohet”, thuhet në apelin e familjarëve.
Gjykata e Lartë në Serbi i ka caktuar Selmanit masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ai ishte arrestuar më 1 korrik në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, nën dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës.








