Në vitet e fundit, në platformat si Instagram, TikTok dhe YouTube janë shtuar zërat që promovojnë gjalpin dhe yndyrat shtazore si më “natyrale” dhe të padëmshme.
Por studimi i fundit, i cili përfshiu analiza të të dhënave afatgjata nga dhjetëra mijëra pjesëmarrës, tregon të kundërtën.
Sipas rezultateve të publikuara në JAMA Internal Medicine, konsumi më i lartë i gjalpit lidhej me një rritje 15% të rrezikut të vdekshmërisë totale. Ndërkohë, një konsum më i lartë i vajrave bimorë, veçanërisht i vajit të sojës, kanolës dhe ullirit lidhej me një ulje 16% të vdekshmërisë.
“Gjetjet tona mbështesin një sërë provash ekzistuese që tregojnë përfitimet shëndetësore të yndyrave me bazë bimore”, shkruajnë autorët. Sipas tyre, vajrat bimorë janë të pasur me yndyra të pangopura, të cilat ndihmojnë në uljen e kolesterolit LDL (të keqit) dhe reduktojnë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare.
Ekspertët e studimit theksojnë se nuk bëhet fjalë për eliminim absolut të gjalpit. “Nëse zgjedhja është midis gjalpit dhe një vaji pjesërisht të hidrogjenizuar, i pasur me yndyra trans, gjalpi mund të jetë opsioni më i mirë,” thonë studiuesit.
Ndërsa vajrat industrialë të përpunuar me yndyra trans janë të njohura për ndikimin e tyre negativ në shëndet, vajrat natyralë bimorë veçanërisht ata të papërpunuar ose ekstra të virgjër janë në përgjithësi një zgjedhje më e shëndetshme krahasuar me yndyrat shtazore si gjalpi.
Në vend që të ndiqni tendencat e rrjeteve sociale, ekspertët rekomandojnë që njerëzit të bazojnë zgjedhjet e tyre ushqimore në hulumtime të verifikuara dhe prova shkencore.









