Shkruan Nehat Hyseni
Viti 2025 po mbyllet me një realitet të rëndë për Luginën e Preshevës.
Ai ishte vit i përditshmërisë së zymtë, i pritjes së lodhshme dhe i mungesës së perspektivës për të rinjtë shqiptarë që, në vend se të ndërtojnë të ardhmen në vendlindjen e tyre, detyrohen të kërkojnë shpresë diku tjetër. Papunësia, braktisja dhe pasiguria vazhdojnë të rëndojnë mbi familjet shqiptare dhe mbi vetë zhvillimin shoqëror e ekonomik të kësaj treve të rëndësishme të Shqiptarisë.
Megjithatë, ky vit solli edhe dy ngjarje që mund të hyjnë në historinë politike të Luginës si momente kthese.
E para, Seanca Dëgjimore në Kongresin Amerikan, ku për herë të parë, në një forum kaq të lartë ndërkombëtar, u fol qartë, hapur dhe me përgjegjësi për sigurinë e shqiptarëve në Luginë. Republikanë e Demokratë, përtej ndasive partiake, ngritën zërin kundër politikave diskriminuese të Beogradit dhe presidentit të tij, Aleksandër Vuçiq. Ky ishte një sinjal i fuqishëm politik: bota po sheh, Amerika po flet dhe Serbia nuk mund të fshehë më padrejtësitë e saj. Ky adresim i drejtpërdrejtë i diskriminimit ndaj shqiptarëve ndezi një shpresë të re: se Shtetet e Bashkuara do të jenë garancia e sigurisë dhe nuk do të lejojnë realizimin e planeve ogurzeza për spastrimin etnik.
Ngjarja e dytë e rëndësishme ishte Ligji Amerikan për mbrojtjen e Kosovës si partner strategjik dhe faktor stabiliteti në Ballkan. Ky ligj nuk është thjesht dokument politik – ai është një mburojë gjeopolitike që forcon sigurinë e Kosovës dhe, rrjedhimisht, rrit nivelin e sigurisë edhe për shqiptarët në Luginë. Ai i dërgon një mesazh të qartë Serbisë dhe aleatëve të saj rusë:
Kosova është e mbrojtur, shqiptarët nuk janë të pambrojtur dhe koha e presioneve e kërcënimeve nuk do të kthehet më mbrapa.
Prandaj, ndonëse 2025 ishte vit i vështirë, ai ishte edhe vit i garancive të mëdha historike për sigurinë kombëtare shqiptare në këtë hapësirë të ndjeshme gjeopolitike të Ballkanit.
Të gjithë shqiptarëve, kudo që janë – në Luginë, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Sanxhak, Shqipëri, në diasporë e kudo në botë – u uroj
Gëzuar Vitin e Ri 2026!
Qoftë vit i paqes, i dinjitetit, i lirisë dhe i shpresës së realizuar!
Preshevë, më 31 dhjetor 2025








