Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka dhënë detaje për fondet e ndara nga Kosova për mbrojtjen juridike dhe obligimet e tjera që lidhen me proceset në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një konferencë për media, Gërvalla tha se deri në shtator të vitit 2026, nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar gjithsej 40 milionë e 611 mijë e 855 euro për këto obligime.
Prej tyre, sipas saj, 39 milionë e 787 mijë euro janë përdorur për mbrojtje juridike.
Vetëm për katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët u dënuan nga shkalla e parë më 16 shtator 2026, shuma e paguar për mbrojtjen ka arritur në 28 milionë e 470 mijë euro.
Gërvalla deklaroi se Ministria e Drejtësisë nuk ka borxhe të papaguara ndaj avokatëve apo përfituesve të tjerë të këtij programi.
Për vitin 2026, sipas saj, janë ndarë 8 milionë e 50 mijë euro për këto shpenzime, ndërsa deri në periudhën e raportimit janë shpenzuar mbi 4 milionë euro.
Duke folur për mundësinë që mungesa e mjeteve financiare të ndikojë në proceset e mbrojtjes, Gërvalla tha se nuk ka parë një situatë ku financimi të paraqitet si pengesë për drejtësinë në Hagë.
Ajo u pyet edhe për arsyen pse nuk e ka cilësuar si të padrejtë vendimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Gërvalla tha se, në cilësinë e ministres së Drejtësisë, nuk i takon të japë vlerësime për një aktgjykim që ende nuk e ka lexuar dhe që është në proces ankese.
“Duhet ta ruajmë seriozitetin institucional. Cilësime mund të jap si njeri privat, por nuk më takon si ministre e Drejtësisë”, tha ajo.








