Deputeti i PDK-së, Xhevahir Geci, ka kërkuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, derisa deputetët e PDK-së dhe Aleancës po qëndrojnë në sallë dhe po presin pjesëmarrjen e Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje për ta konstituar Kuvendin.
Geci tha se Kuvendi nuk mund të trajtohet si pronë e një grupi deputetësh dhe se bllokada institucionale po dëmton qytetarët e Kosovës.
“Kosova nuk është pronë e 53 deputetëve, Kuvendi nuk është zyrë private e shumicës. Shteti nuk është mjet për kalkulime politike. Kuvendi është i 120 deputetëve, Kuvendi është i qytetarëve, Kosova është e qytetarëve”, deklaroi Geci.
Ai ngriti edhe pyetjen se kujt po i konvenon bllokada e Kuvendit dhe kush po përfiton nga moskonstituimi i tij.
“Kujt po i konvenon bllokada, kush po fiton? Nga moskonstituimi i Kuvendit nuk po humbim ne si deputetë, por po humbin ne si qytetarë”, tha ai.
Geci kërkoi që Kuvendi të konstituohet dhe puna e tij të nisë pa vonesa dhe, siç tha ai, pa “lojëra” politike.
“Ne kërkojmë që të konstituohet Kuvendi dhe të zhvillohet puna pa zvarritje, pa lojëra, sepse Kosova nuk mund të presë derisa dikush t’i bëjë llogaritë politike. Shteti nuk duhet të jetë peng i askujt”, përfundoi Geci.








