Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj ka thënë se ish-ministri i Mbrojtjes i qeverisë në ekzil të Kosovës, Ahmet Krasniqi, “u vra pabesisht në Tiranë nga shqipfolës”.
Në përvjetorin e 28-të të vrasjes së komandatit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Gecaj bëri homazhe te varri i Krasniqit dhe bëri thirrje për zbardhjen e këtij krimi.
“Sot, me respekt, mall dhe mirënjohje të thellë, përkujtuam mikun tim, Ministrin e parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe Komandantin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës – FARK, Kolonel Ahmet Krasniqin; një ushtarak, intelektual dhe atdhetar të rrallë, me një diapazon të jashtëzakonshëm ushtarak, politik e kombëtar, të cilin pata privilegjin ta njoh nga afër. Ai u vra pabesisht në Tiranë nga shqipfolës, ndërsa zbardhja e plotë e këtij krimi mbetet borxh ndaj familjes së tij, bashkëluftëtarëve dhe mbarë kombit”, tha Gecaj.
“Faleminderit, miku im, për dijen, guximin, përkushtimin dhe besnikërinë ndaj idealit të Republikës së Kosovës. Prehu në paqe, Ministër, Komandant dhe Hero i Kosovës!”.








