Gazi amerikan, energjia, pagat e projekte sportive – premtimet e partive në ditën e tretë të fushatës

Në ditën e tretë të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, partitë politike kanë premtuar projekte nga infrastruktura dhe energjia, paga më të larta, pensione e projektet sportive.


Lëvizja Vetëvendosje në ditën e tretë të fushatës zgjedhore ka mbajtur tubim në Kamenicë.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, foli për projekte sportive që pritet të realizohen.


Ai tha se gjatë vizitës në stadium ka takuar futbollistë, të cilëve sipas tij u ka dhënë lajmin për ndërtimin e një stadiumi të ri me 2 mijë e 500 ulëse.

“Kur i takova lojtarët sot aty në stadium, ua dhashë lajmin e mirë se do ta ndërtojmë stadiumin me 2 mijë e 500 ulëse prej druri. Do të jetë stadiumi i parë i këtij lloji”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq, kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se si kryeministër do ta nisë menjëherë projektin për lidhjen e Kosovës me korridoret rajonale të gazit natyror dhe do të ndërtojë partneritet strategjik energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë se Qeveria ka refuzuar mundësinë për ta lidhur Kosovën me gazin natyror amerikan (LNG), duke e lënë vendin më të varur nga importet e shtrenjta dhe më të pasigurt energjetikisht.

“Sot, Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk është i lidhur me rrjetet e gazit natyror. Ndërkohë, gazsjellësi Aleksandrupoli–Shkup do ta sjellë LNG-në amerikane vetëm rreth 15 kilometra larg kufirit të Kosovës, duke krijuar një mundësi reale që nuk duhet humbur.

Si kryeministër, do ta ndryshoj këtë qasje. Do ta nisim menjëherë projektin për lidhjen e Kosovës me korridoret rajonale të gazit natyror dhe do të ndërtojmë partneritet strategjik energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo nënkupton më shumë siguri energjetike, më pak ndotje, më shumë investime dhe energji më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset. Nuk mund të ndërtojmë ekonomi moderne me politika të shekullit të kaluar. Kosovës i duhet vizion, jo improvizim!”, ka thënë Hamza.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka premtuar rritje të pagave dhe pensioneve, moratorium për energjinë elektrike dhe investime miliardëshe në infrastrukturë, gjatë një tubimi zgjedhor në Klinë.

Abdixhiku tha se LDK-ja do ta mbajë premtimin për koeficientin 150 euro në sektorin publik dhe rritjen e pagave për mësimdhënësit. Ai premtoi edhe pensione prej 300 eurosh për pensionistët.

Abdixhiku premtoi ndërtimin e autostradës së Dukagjinit dhe investime në furnizimin me ujë të pijshëm.

“Dukagjinit do t’ia hapim autostradën e merituar, fshatrave tuaja furnizim me gjërat më bazike të mundshme në këtë kohë, ujë, ujë të pijshëm me prioritet nacional për secilin fshat të komunës së Klinës, pra do të kemi investime kapitale që transformojnë jetën shoqërore në Kosovë. Por natyrisht shteti përveç se është zhvillim, përveç se është investim, përveç se është kujdes ndaj projekteve gjeo-nacionale, duhet të kujdesemi edhe për hallet e qytetarëve”, tha ai.

Ai premtoi se gjatë qeverisjes së LDK-së nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Abdixhiku tha se LDK-ja do ta heqë TVSH-në për produktet bazike në javën e parë të qeverisjes.

Ndërkaq, kandidati për kryeministër nga AAK, Ardian Gjini, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e infrastrukturës dhe furnizimit me energji elektrike në vend.

Ai ka theksuar se mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike në mes të ditës, ndërsa ka përmendur edhe gjendjen e rrugës Gjakovë–Dollc, për të cilën tha se prej vitesh është lënë pas dore.

“Mijëra familje pa rrymë në mes të ditës. E pak minuta më parë kalova rrugën Gjakovë-Dollc, që siç e dini është lënë tash e sa vite në mëshirë të fatit. Ky është realiteti në Kosovë”, ka shkruar ai.

Fushata do të jetë 10 ditë, konkretisht deri më 07 qershor në orën 06:59.

Zgjedhjet e reja u shpallën pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjidhte presidentin e ri brenda afatit kushtetues, duke futur vendin në një tjetër krizë politike.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit