Gazetari Nehat Shaqiri, editor i portalit gazetakosova.net, ka reaguar ashpër ndaj udhëheqjes aktuale të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar drejtimin e tij si të dëmshëm dhe pa perspektivë për partinë.
“LDK-së nuk i duhen liderë si Lumir Abdixhiku. Nuk i duhet një drejtim i mbështetur në mashtrime politike, dështime të njëpasnjëshme dhe cinizëm të hapur ndaj anëtarësisë dhe votuesve të saj,” shkruan Shaqiri, duke shtuar se partia po humb identitetin dhe besueshmërinë çdo ditë që vazhdon ky stil udhëheqjeje.
Sipas tij, në LDK janë promovuar figura që aktivizohen vetëm në kohë zgjedhjesh, duke përdorur narrativa të vjetra dhe justifikuese, ndërkohë që kanë dështuar t’i japin partisë vizion dhe dinjitet politik.
“Këto zgjedhje ia treguan qartë vendin Lumir Abdixhikut dhe shumëkujt tjetër brenda LDK-së. Megjithatë, është befasuese se si disa deputetë fituan mandatet, ndërsa figura shumë më të denja – trima, njerëz të ndershëm dhe të vendosur – mbetën jashtë Kuvendit,” thekson Shaqiri.
Ai veçon si shembull konkret rastin e koalicionit në Vushtrri, duke e akuzuar Abdixhikun për mashtrim dhe tradhti politike ndaj Xhafer Tahirit.
“Lumir Abdixhiku e dërgoi mesazhin për koalicion me LVV-në dhe, në momentin që kjo ndodhi, u distancua dhe lejoi që të gjithë t’i dalin kundër. Kjo nuk është udhëheqje, por manipulim politik,” thuhet në reagim.
Në përfundim, Shaqiri vlerëson se LDK-ja ka nevojë urgjente për një kthesë të thellë dhe për rikthim te vlerat themeluese të saj.
“Cinizmi i Lumir Abdixhikut nuk kalon më. Çdo ditë që ai qëndron në krye të LDK-së, partia rrëshqet edhe më poshtë – në besueshmëri, në mbështetje qytetare dhe në identitet politik,” përfundon reagimi i gazetarit Nehat Shaqiri.









