Një gazetar në Prishtinë ka raportuar se është kanosur përmes rrjeteve sociale, si pasojë e veprimtarisë së tij profesionale.
Ngjarja ka ndodhur më 06.02.2026 rreth orës 15:00, në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, ndërsa rasti është paraqitur në Stacionin Policor Jugu.
Sinjali mëson se pala ankuese, Kron Sadiku, gazetar në Klan Kosova në emisionin “Kosova Today”, ka deklaruar se ka pranuar një mesazh kërcënues në Facebook nga një person me emrin Francesk Mihaj.
Siç mëson Sinjali, përveç mesazhit kërcënues, ka marrë edhe përmbajtje fyese, të cilat i ndërlidh drejtpërdrejt me punën e tij si gazetar.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe vetë gazetari Sadiku.
Ai tha se Mihaj është familjar i Klodian Mihaj banorë nga Big Brother Kosova.
Pas paraqitjes së rastit, Sadiku është intervistuar në cilësinë e palës së dëmtuar, ndërsa është njoftuar hetuesi kujdestar. Në konsultim me Prokurorin kujdestar, është marrë vendim që rasti të iniciohet si “Kanosje”.
Hetimet janë në zhvillim dhe policia po punon për identifikimin dhe trajtimin e personit të dyshuar.
Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri.








