Eyal Zamir është një figurë e ashpër dhe pa kompromis. Pikërisht ai ishte arkitekti i planeve për pushtimin e Gazës një plan që, sipas zërave në Jerusalem, i pëlqeu Kryeministrit Benjamin Netanyahu sa për t’i siguruar Zamirit ngritjen në detyrë si Shef i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), vetëm katër muaj më parë. Plani përfshinte marrjen nën kontroll të mbetjeve të jetës civile në Rripin e Gazës dhe zhdukjen e Hamasit.
Paralelizmat janë të qarta. Ashtu si në Vietnam, ku SHBA-të përpiqeshin të “prisnin ujin” rreth forcave guerile të Viet Kongut, duke i shkëputur ato nga popullsia civile për të dobësuar mbështetjen ndaj rezistencës edhe Izraeli synon të ndjekë një qasje të ngjashme ndaj Hamasit. Por historia nuk është premtuese. Sipas një thashethemi që qarkulloi dje në qarqet politike të Jerusalemit, gjenerali Zamir i ka përmendur Kryeministrit “rrezikun e Vietnamit”, duke paralajmëruar ndihmësit e tij se “të hysh në Gaza është si të biesh në një vrimë të zezë”. Ai është i shqetësuar për jetën e pengjeve dhe, teknikisht, për lodhjen e trupave dhe konsumimin e pajisjeve ushtarake.
Një pushtim i plotë do të kërkonte mobilizimin e 40,000 deri në 60,000 ushtarëve. Forcat aktuale, përfshirë profesionistët dhe të rekrutuarit, nuk janë të mjaftueshme, rezervistët duhet të thirren përsëri në detyrë. Kjo është lufta më e gjatë në historinë e Izraelit, dhe shumë nga rezervistët tashmë në turnin e tyre të katërt ose të pestë janë gjithnjë e më të prirur të shmangin rikthimin në vijën e frontit.
“Kultura e mospajtimit është një pjesë integrale e historisë së popullit izraelit dhe përfaqëson një element themelor në kulturën organizative të IDF-së,” tha gjenerali në një deklaratë publike dje hera e parë që fliste pas disa ditësh përplot me raportime për tensione midis tij dhe udhëheqjes politike. Djali i kryeministrit, Yair Netanyahu, shkoi aq larg sa të paralajmëronte për rrezikun e një “grushti shteti ushtarak”, për shkak të hezitimit të oficerëve për të ndjekur vijën e qeverisë.
“Ne do të vazhdojmë të shprehim qëndrimin tonë pa frikë, objektivisht, në mënyrë të pavarur dhe profesionalisht. Ne nuk shqetësohemi për teoritë, por për jetët njerëzore dhe mbrojtjen e shtetit. Vetëm mirëqenia dhe siguria e tij janë para syve tanë,” tha Zamir gjatë forumit të djeshëm të Shtabit të Përgjithshëm. Të qarta, të drejtpërdrejta, por pa provokime, fjalët e tij u perceptuan si një dëshmi e përkushtimit ndaj shtetit, jo një sfidë ndaj qeverisë.
Por përplasjet në krye të shtetit hebraik janë reale. Shumë ekspertë të sigurisë, ish-gjeneralë, ish-agjentë të shërbimeve sekrete , tashmë të liruar nga detyrimi i bindjes në pension, kanë folur publikisht kundër pushtimit total të Gazës. Kjo ka hapur një përçarje të thellë dhe delikate në politikën izraelite: A është më mirë të negociohet me Hamasin për të shpëtuar pengjet, apo të asgjësohet grupi terrorist edhe nëse kjo nënkupton humbjen e jetës së tyre?
Sipas burimeve, vija e kuqe e Hamasit në çdo negociatë ka qenë përfundimi i luftës dhe tërheqja e plotë e Izraelit, një kusht që Netanyahu e ka refuzuar që në fillim, duke këmbëngulur në “shkatërrimin” e grupit.
Ndërkohë, qarqet strategjike izraelite nuk injorojnë konceptin arab të “sumud” të qëndrueshmërinë, i cili është ngritur në mesin e palestinezëve në një virtyt pothuajse fetar. Nëse Hamasi do të mbijetonte edhe pasi udhëheqja e tij të ishte shkatërruar, prestigji i tij, paradoksalisht, mund të rritej. Pavarësisht mbi 60,000 vdekjeve dhe shkatërrimit të gjerë, ai “ujë” që supozohej të thahej përreth Hamasit, mund të bëhet më i thellë. Për Izraelin, basti i vërtetë është që, duke shkatërruar Hamasin, të mos lindë një tjetër formë rezistence nga ai ujë.










