Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë janë në pritje që Kuvendi të jap dritën e gjelbër që ata të dërgohen jashtë vendit.
Bëhet fjalë për misionin humanitar si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.
Mbi 20 ushtarakëve kosovarë që do të dërgohen në Lindjen e Mesme, do t’iu aplikohet sigurimi shëndetësor dhe ai jetësor.
Këtë e kanë konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Këta të fundit thonë se tashmë i kanë dorëzuar dokumentacionet e nevojshme.
“Sa i përket zbarkimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të misionit ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, duke ju referuar Ligjit Nr. 08/L-036 për Dërgimin e FSK-së Jashtë Vendit dhe dokumentacionit të dërguar në Qeveri, është adresuar edhe çështja e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për secilin pjesëtarë të angazhuar, si dhe pagesa për nivelin e rrezikshmërisë krahas shpenzimeve të tjera të mbuluara”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.
Mirëpo çka thotë ky Ligji i cili pësoi ndryshim-plotësim në vitin 2024?
“Mjetet e nevojshme për përgatitje, pajisje dhe dërgim të FSK-së në operacione ndërkombëtare dhe aktivitete ushtarake jashtë vendit të parapara me këtë ligj, përfshirë edhe të drejtat e parapara me paragrafin 2. të këtij neni, sigurohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës. Personeli i FSK-së do të kenë të siguruar transportin, pajisjet e nevojshme për operacion dhe stërvitje, sigurimin shëndetësor, sigurimin jetësor, pagat, pagesat shtesë, ushqimin dhe akomodimin”, thuhet në ligj.
Por, një kolonel në pension i FSK-së, thotë se sigurime të tilla, duhet të bëhen për të gjithë ushtarët e FKS-së.
“Jo vetëm për FSK-në por edhe për Policinë e Kosovës po ashtu sepse edhe Policia e Kosovës e ka të njëjtin problem dhe ka detyra me rrezik të cilat i kryen për çdo ditë dhe çdo moment ne mund të kemi pasoja për individët brenda këtyre grupimeve, FSK-së dhe Policisë të cilat mund t’iu kushtojnë edhe me jetë ndërsa kryejnë detyra shumë të rëndësishme për vendin dhe në anën tjetër nuk trajtohen në nivelin që u takon të trajtohen”, shprehet Hysen Gecaj.
Ndryshe, Kosova është në mesin e pesë shteteve që janë zotuar për angazhim në këtë mision me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.









