spot_img
Monday, December 15, 2025
spot_img

Garry Kasparov: Putin do ta shkelë armëpushimin!

Kjo ishte e dukshme edhe në përgjigjet që dha për këtë intervistë, të cilat mund të jenë të forta dhe të papritura. Por nëse Garry Kasparov, sot 61 vjeç, është kaq i drejtpërdrejtë, kjo ndodh sepse në rrezik janë shumë gjëra, dhe këtë herë në jetën reale dhe jo në tabelën e shahut.

Kështu ai ka mësuar si të jetë didaktik, madje shumë i komunikueshëm. Sot një banor i Nju Jorkut, dikur kampion botëror në shah për dy dekada, Kasparov është aktualisht një ndër kundërshtarët më të vendosur të presidentit rus Vladimir Putin.

Për shkak të kësaj, ndihet i rrezikuar për jetën. Është nën mbikëqyrje të vazhdueshme për shkak të shqetësimeve të sigurisë, dhe nuk mund të dalë as në korridor për të bërë fotot e tij për intervistën tonë.

A është Putin më i fortë pas përplasjes së ashpër në Shtëpinë e Bardhë midis Trump dhe Zelenskyt?

Natyrisht. Por unë mendoj se historia është paksa më e ndërlikuar. Nxitësi kryesor i konfliktit ishte J.D.Vance. Është shumë e pazakontë që një zëvendës/president të jetë në një takim në Zyrën Ovale. Ndaj mendoj se administrata Trump është shumë e ndarë mbi këtë çështje.

Ju po i shihni ata që po e shtyjnë Trumpin, dhe ai nuk dëshiron të rezistojë, por ta përqafojë Putinin dhe të fitojë para. Është e qartë se pas Vance ka njerëz si Musk, Donald Trump Jr., Kushner dhe të tjerë. Por ndërkohë kemi edhe një grupim të heshtur, ndoshta një shumicë të heshtur.

Njerëz si Susie Wiles dhe Ted Cruz, të cilët nuk mund të pranojnë që Amerika të bëhet aleate me Putinin, të cilët thonë se Putini është një kriminel, se nuk mund të bëhet marrëveshje me të, se SHBA duhet të sigurohet që Ukraina të fitojë dhe Putin të mposhtet.

Çfarë dëshiron realisht Donald Trump?

Trump ka qenë shumë i butë me Macron dhe Starmer. Ai po plaket, dhe kërkon thjesht një shfaqje të mirë televizive. Mendoj se Vance ishte aty për t’u siguruar që kjo nuk do të ndodhte. Ishte Vance, ai që e provokoi Zelenskiy-n, që për mendimin tim gaboi dhe ra në kurth.

Ai duhej ta injoronte Vance. Marrëveshja ishte aty, më pas Trump u zemërua shumë. Në fakt Zelenskiy u përpoq të korrigjonte deklaratat e Vance, i cili ka një aftësi të madhe për të gënjyer, fyer njerëzit dhe madje as për të mos u tërhequr kur ka gabuar. Ashtu si në Konferencën e Mynihut kur u tha evropianëve: Ju jeni të parëndësishëm! Ata kanë të njëjtin interes si Putin: duan që Bashkimi Evropian të jetë i dobët.

Por Evropa është tashmë e dobët…

Evropa është e dobët, sepse kështu ka zgjedhur vetë. Në fakt ajo ka shumë burime, para, fuqi punëtore. Dhe nëse dëshiron të ndërtojë një bllok të fortë, duhet të fillojë të rishqyrtojë shumë gjëra. Për shembull, unanimiteti.

Nëse përballesh me armiq dhe kundërshtarë, nuk mund të marrësh vendime unanime, sepse të gjesh një “Kalë Troje” në 27 vende anëtare nuk është e vështirë, si Orban në Hungari ose Fico në Sllovaki. Po ashtu, ajo s’mund të mbështetet gjithnjë tek Amerika për sigurinë, por duhet të ndërtojë sistemin e saj të mbrojtjes.

Në këtë skenar të ri me Trumpin, çfarë mendoni se është i aftë të bëjë Putin?

Putin është i aftë për çdo gjë, dhe kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet. Mendoni pak për krime të tmerrshme, dhe pastaj shumëzojini ato me dhjetë. Unë u them të përgatiteni për më të keqen. Nuk e di se çfarë saktësisht është i aftë, por mund t’ju them saktësisht se çfarë po planifikon të bëjë, thjesht sepse po dëgjoj atë që ai ka thënë.

Ai dhe propaganda e tij e përsërisin vazhdimisht: në botën e Putinit, nuk ka Ukrainë, po vetëm një grup rusësh që flasin një rusishte të shtrembëruar. Propaganda që po i përhapa këto narrativa në Rusi, fillon që tek fëmijët në kopsht.

Unë nuk mendoj se ai ka lexuar shumë libra, por ai e di që nuk ka perandori ruse pa Ukrainën. Pra, edhe nëse do të ketë një ndalim të përkohshëm të luftimeve, nuk do të ketë paqe të qëndrueshme. Trump ndoshta ëndërron për këtë, por për një paqe të qëndrueshme, duhet të ketë një bazë e përbashkët.

Putini do ta shkelë armëpushimin në momentin e partë që do ta shohë të përshtatshme, siç ka bërë me dhjetëra raste të tjera. Lufta kundër botës së lirë do të vazhdojë. Putin mund të jetë duke e parë Trumpin si një idiot të dobishëm që do e ndihmojë të dobësojë Evropën dhe NATO-n, që kjo e fundit të rikthehet në kufijtë e vitit 1997.

Ju jeni pjesë e opozitës, pra atyre që e kundërshtojnë Putinin, a mund të bëjnë diçka ata në Rusi?

Për çfarë opozite flisni? Po talleni me mua!? Situata sot në Rusi është si në Gjermaninë naziste në vitin 1943, Spanjën e Frankos në vitin 1960. Madje Franko në vitin 1960, ishte shumë më pak mizor se Putini sot. A kishte opozitë në Spanjë para vitit 1975?

Rezistencë? Jo, ishte një diktaturë. Putin është më shumë si Franko në vitin 1941. Njerëzit vazhdojnë të përsërisin të njëjtën pyetje, nëse opozita ruse mund të bëjë diçka, ndërkohë u vra Boris Nemtsov dhe Alexei Navalny. Mijëra të tjerë janë në burgje vetëm për disa postime në rrjetet sociale, ku shprehin dyshime për luftën.

A jetoni me frikë?

A do të ndihmonte vallë kjo? Jo. Jam i detyruar të përshtatem me këtë gjendje. Kjo është motoja e disidentëve sovjetikë: bëni atë që duhet dhe kështu qoftë. Shumë nga miqtë dhe aleatët e mi janë vrarë. Të gjithë jemi nën kërcënime të mundshme, veçanërisht tani që Trump është kaq miqësor me Putinin. Po çfarë mund të bëj ndryshe? Të ndaloj së foluri nuk është një opsion për mua.

Ju jeni përballur me Putinin por edhe me Inteligjencën Artificiale. Cila ju bën të ndiheni më të pambrojtur?

Inteligjenca Artificiale nuk e kërcënon jetën apo jetesën time. Përkundrazi, ajo ofron përfitime dhe mundësi të mëdha. Unë jam shumë optimist për të ardhmen. Problemi ynë është Putin dhe diktatorët e tjerë. Janë njerëzit jo makineritë, ata që kanë në duar monopolin e së keqes.

A nuk mund të përdoret kjo teknologji edhe për synime të këqija?

Nga kush? Nga njerëzit. Një çekiç, mund të përdoret për të ndërtuar një shtëpi ose për të vrarë dikë. Por për këtë, ju s’mund të fajësoni çekiçin. E njëjta logjikë vlen edhe për AI, që është sigurisht një mjet shumë i fuqishëm. Mund të prodhosh një bombë bërthamore dhe ta lëshosh atë, ose mund të ndërtosh një termocentral bërthamor dhe t’i japësh dritë dhe energji të gjithë qytetit.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit