Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë po i afrohet fundit. Në faqen e KQZ-së tashmë janë proceduar afër 95% e kutive të votimit, dhe në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës vazhdon gara mes kandidatëve për mandatin e 15.
Ky vend në listë aktualisht mbahet nga kandidati Ermal Sadiku, i cili ka 14,813 vota. Ai ndiqet nga Arben Gashi, i cili deri tani ka marrë 14,280 vota, apo 533 më pak se Sadiku.
Në këtë rezultat nuk janë përfshirë votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka pësuar një rënie të ndjeshme dhe pritet të ketë 15 ulëse në Kuvendin e Kosovës.









