spot_img
Friday, December 5, 2025
spot_img

“Garda Amazoniane”, kush ishin truprojat femra që duhej të mbronin diktatorin libian Muamar Gadafi

Para stërvitjes zyrtare, ato betoheshin se do të mbeteshin të dëlira në aspektin moral. Por pas vrasjes së diktatorit, shumë prej tyre treguan histori abuzimi dhe dhune seksuale nga diktatori, fëmijët dhe ndihmësit e tij…

Në rast se ekziston një tipar që i bashkon diktatorë të ndryshëm, ai është vetë-mburrja. Përpara se t’i gjykojë historia, ata e shpallin veten si burra shteti të mëdhenj, të denjë për t’u kujtuar. Në fund të fundit, historia përfundon duke i kujtuar ata gjithsesi, por jo në mënyrën që do të kishin dëshiruar.

Unë jam, kam qenë, gjithmonë do të jem

Tipari i përbashkët i të gjithë diktatorëve është kulti i personalitetit, përqendrimi i të gjithë pushtetit në një udhëheqës të vetëm karizmatik dhe hyjnizimi i tij përmes propagandës shtetërore. Nuk është rastësi që kjo shprehje e veçantë u shpik nga Nikita Hrushov në vitin 1956 për të denoncuar mbretërimin e terrorit nga Josif Stalini.

Disa psikologë kanë identifikuar 3 tipare, të cilat i quajnë “triada e errët” tek shumë diktatorë të shekullit XIX-të: narcizmi, psikopatia dhe makiavelizmi. Narcizmi i udhëheqësit autoritar, shfaqet përmes një ndjenje superioriteti mbi të tjerët dhe në perceptimin e vetes si të destinuar për një të ardhme të ndritur.

Sadam Huseini e mishëroi në mënyrë të përsosur këtë formë megalomanie. Kulti që rrethonte ish-bariun nga Tikriti, mori përmasa gjithnjë e më groteske me kalimin e viteve. Portreti i tij zbukuronte çdo ndërtesë publike, dhe artistët e financuar nga shteti siguruan një furnizim të pafund bustesh, statujash dhe muralesh me imazhin e Sadamit.

Irakianët jetonin me një frikë aq të madhe nga udhëheqësi i tyre, saqë disa ndalonin për të përshëndetur statujat e tij edhe kur nuk po i shihte njeri. Sadami identifikohej me Saladinin dhe e krahasonte veten me figura historike si Hamurabi dhe Nabokodonosori.

Edhe Muamar Gadafi zhvilloi një kult personaliteti shumë të përhapur në Libi. Fytyra e tij shfaqej në një larmi të gjerë objektesh, duke përfshirë pulla, ora dhe çanta shkolle. Citate nga i “Libri i Gjelbër” shkruar prej tij shfaqeshin kudo, nga muret anash rrugëve deri tek aeroportet dhe madje edhe në stilolapsa.

Madje fjalët e tij u përdorën edhe si tekste për muzikën pop. Gadafi e konsideronte veten një ikonë mode, duke deklaruar: :Çfarëdolloj gjëje që vesh unë bëhet modë!”. Diktatori deklaronte publikisht se nuk i pëlqente kulti që e rrethonte, por e toleronte atë sepse besonte se populli libian e adhuronte.

Ai njihej për fjalimet e tij “të gjata dhe të paqarta”, të cilat zakonisht përfshinin kritika ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Akademia Ushtarake e Grave Libiane dhe truprojat e Gadafit

Si pjesë e politikës së emancipimit të grave dhe ndërtimit të ideologjisë së tij revolucionare, Gadafi themeloi Akademinë Ushtarake të Grave Libiane. Akademia u krijua në vitet 1978-1979 në Tripoli, një nismë revolucionare për kohën në botën arabe.

Programi i stërvitjes ishte jashtëzakonisht rigoroz. Kadetet e fillonin ditën që në orën 4:30 të mëngjesit me 90 minuta ushtrime fizike intensive, të ndjekura nga kurse teorike mbi strategjitë e sulmit dhe mbrojtjes.

Kurrikula e studimeve 3-vjeçare përfshinte luftimet trup më trup, stërvitjet me armë zjarri (përfshirë kallashnikovët), lëshim granatash me granatahedhës dhe stërvitje me avionët luftarakë. Studentët morën udhëzime mbi ideologjinë politike të Gadafit, me lexime nga “Libri i Gjelbër” dhe mbi historinë e Libisë.

Akademia shërbeu si një vend për shtimin e numrit të “Murgeshave Revolucionare” ose “Gardës Amazoniane”, truprojat personale të Gadafit. Amazonat, siç njiheshin në Perëndim (në arabisht, Haris Al-Has), ishin një njësi elitare e formuar në fillim të viteve 1980.

Gadafi i zgjidhte personalisht këto gra, të cilat ishin në të 20-at e tyre, të pa martuara, tërheqëse dhe të virgjëra. Para stërvitjes zyrtare, ato betoheshin se do të mbeteshin të dëlira në aspektin moral.

Pas përzgjedhjes, ato betoheshin se do ta mbronin Gadafin me çdo kusht, madje edhe me koston e jetës së tyre. Gratë e zgjedhura, mbanin veshur uniforma ushtarake kamuflazh, taka të larta të zeza, një rrip të kuq në bel dhe një beretë të kuqe në kokë.

Ato lejoheshin të mbanin bizhuteri, të lyenin buzët dhe thonjtë. Megjithatë, prapa këtij imazhi fuqizues, fshihej një realitet shumë më i hidhur. Pas vrasjes së Gadafit, shumë prej tyre, tanimë të lira, treguan histori abuzimi, dhune seksuale dhe presioni nga diktatori, fëmijët dhe ndihmësit e tij.

Dhurata “e çmuar” për të përzgjedhurat

Në vitin 1979, diktatori vendosi t’i nderonte gratë e tij të dashura me një dhuratë unike dhe të veçantë: një orë e markës “Zodiac”. Ishte një seri speciale, e porositur enkas vetëm për Akademinë Ushtarake të Grave në Libi.

Ora ishte një model për gra me zemberek kuarci në një kornizë dyngjyrëshe ari (të veshur me ar) dhe çeliku, me një ekran të artë që paraqiste emblemën kombëtare libiane dhe fytyrën e tij ikonike. Prodhuesi ishte kompania zvicerane në “Le Locle” e themeluar në vitin 1882.

A ishte një dhuratë me vlerë? Jo dhe aq. Një orë dyngjyrëshe “Zodiac” e nivelit fillestar me një mekanizëm kuarci dhe një ekran të artë të personalizuar, e destinuar për një porosi qeveritare, ka të ngjarë të kishte kushtuar rreth 200 dollarë.

Përderisa i kishte blerë në sasi të mëdha dhe me shumicë, është e sigurt se Gadafi do të ketë përfituar nga një zbritje e konsiderueshme, të paktën 50 për qind. Duke pasur parasysh se për 40-vjetorin e revolucionit libian, diktatori porositi 250 orë të personalizuara me portretin e tij nga kompania “Chopard”, me një kosto totale prej 7.5 milionë dollarësh, dhe nga një orë shtesë nga “Patek Philippe” për Ditën e Punës në Libi në vitin 1978 (shembuj jashtëzakonisht të rrallë), mund të kuptohet konsiderata e vërtetë që autori i “Librit të Gjelbër” kishte për gratë, të cilave u kërkonte që të sakrifikoheshin për të.

Në fund, ajo që morën ishte një gjë e kotë, në çdo lloj kuptimi të kësaj fjale.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit