Rebelët sirianë kanë zbuluar një numër të madh makinash luksoze në garazhin e presidentit Bashar al-Assad pas pushtimit të Damaskut. Ndër makinat e konfiskuara janë Ferrari, Audi, Mercedes dhe marka të tjera luksoze.
Një flotë e madhe makinash luksoze u gjet në garazhin e presidentit sirian, i cili u largua nga vendi i tij. Garazhi i Bashar al-Assad u kap nga forcat opozitare. Në rrjet janë publikuar pamjet ku mund të shihni Ferrari, Audi, Mercedes dhe shumë vetura të tjera luksoze, raporton Ensonhaber Tv.
Rebelët sirianë kanë marrë nën kontroll Damaskun dhe pallatin qeveritar. Së fundmi në rrjet u shfaqën pamje video, të cilat u zbuluan nga opozitarët në garazhin e Bashar al-Assad, i cili më parë ishte zhdukur në mënyrë misterioze.
Bëhet me dije se makinat luksoze të Bashar al-Asadit janë konfiskuar nga forcat e opozitës.
Ndërkohë Ministria e Jashtme e Rusisë bëri me dije se Bashar al-Assad la detyrën dhe u largua nga vendi pasi dha urdhra për një transferim të paqtë të pushtetit.
Reuters raporton se ministria ruse nuk zbuloi se ku ndodhet Assad në këto momente, por tha se Rusia nuk kishte marrë pjesë në bisedime për largimin e tij.
“Si rezultat i negociatave mes Assad dhe disa pjesëmarrësve në konfliktin e armatosur në Republikën Arabe të Sirisë, ai vendosi të dorëhiqej nga presidenca dhe të largohej nga vendi, duke dhënë instruktime për një transferim të paqtë të pushtetit. Rusia nuk mori pjesë në këto negociata”, njoftoi ministria e Jashtme e Rusisë.
Rusia tha se bazat e saj ushtarake në Siri janë në gjendje të lartë gatishmërie, por deri më tani nuk ka asnjë kërcënim serioz. Po ashtu, Moska thotë se është në kontakt me të gjitha grupet opozitare siriane.
Lëvizjet në Siri janë duke u shikuar me vëmendje në të gjithë botë.
Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden dhe ekipi i tij po monitorojnë me kujdes “ngjarjet e jashtëzakonshme në Siri” si dhe po qëndrojnë në kontakt me partnerët rajonalë.
Reagoi po ashtu edhe Presidenti i zgjedhur, Donald Trump.
“Assad iku. U largua nga vendi. Aleatja e tij, Rusia, e udhëhequr nga Vladimir Putin nuk ishte më e interesuar që ta mbronte më gjatë. Rusia dhe Irani janë më të dobësuara tashmë, pikë së pari prej Ukrainës dhe ekonomisë së keqe dhe së dyti sepse Izraeli po ia del me sukses në luftime”, tha Donald Trump.
This is what Bashar al-Assad's garage looks like – local media share the video pic.twitter.com/SiWAtCBUeG
— NEXTA (@nexta_tv) December 8, 2024









