Rreth 613.4 milionë euro projekte që ishin planifikuar të financoheshin në Kosovë janë pezulluar ose shtyrë për një afat të pacaktuar si pasojë e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të vendosura ndaj Kosovës që nga qershori i vitit 2023.
Sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP, i titulluar “Ndikimi financiar i masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”, theksohet se 7.1 milionë euro janë humbur përfundimisht, pasi ka kaluar afati për nisjen e disa projekteve.
Sipas GAP-it, masat e vendosura nga BE-ja që nga qershori 2023 kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet me Kosovën, duke shkaktuar pasoja të rënda financiare dhe zhvillimore.
Sektorët më të prekur janë:
- Mjedisi: 350.7 milionë euro
- Energjia: 114.4 milionë euro
- Digjitalizimi: 57 milionë euro
- Kultura: 15 milionë euro
Nga totali i mjeteve të pezulluara:
- 218 milionë euro janë projekte në kuadër të fondeve IPA II dhe IPA III
- 395.5 milionë euro janë projekte të parashikuara përmes WBIF
Financimi i këtyre projekteve ishte planifikuar me:
- 421 milionë euro nga BE
- 162 milionë euro nga palët e treta (si institucionet financiare ndërkombëtare)
- 31 milionë euro vetëfinancim
Ndërkohë, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka deklaruar së fundmi se Kosova nuk do të humbasë fondet nga Plani i Rritjes i BE-së, pavarësisht mungesës së Kuvendit funksional.
Ai ka theksuar se Qeveria ka respektuar të gjitha afatet për dorëzimin e dokumenteve dhe se vonesat kanë ndodhur për shkak të miratimit me vonesë të planit nga Këshilli i BE-së.








