Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar parashikimin e motit për vikendin e 2 dhe 3 majit 2026, duke bërë të ditur se vendi do të karakterizohet nga kushte të ndryshueshme atmosferike.
Sipas njoftimit, të shtunën do të mbajë mot i vranët me intervale kohore me diell, ndërsa vranësirat vende-vende, kryesisht në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore, do të shoqërohen me riga shiu.
“Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3°C, ndërsa maksimalet e ditës nga 14 deri në 17°C”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se të shtunën do të fryjë erë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1–6 m/s.
Ndërsa të dielën parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
“Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3°C, ndërsa maksimalet nga 15 deri në 17°C”, thekson Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Të dielën era do të fryjë nga veriperëndimi, e lehtë deri mesatare.









