Kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Jordanisë në muajin tetor.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka arritur marrëveshjen me homologët jordanezë që takimi të luhet më 14 tetor, në stadiumin “Air Albania”, duke filluar nga ora 19:00.
Kjo do të jetë përballja e dytë historike mes dy ekipeve përfaqësuese. Takimi i parë u zhvillua më 10 tetor 2018, në “Elbasan Arena”, dhe përfundoi me barazim pa gola.
Data e 14 tetorit është e lirë sipas kalendarit të FIFA-s, pasi Shqipëria bën pjesë në një grup me pesë ekipe në kualifikueset e Botërorit 2026. Po në këtë muaj, kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe ndeshjen kualifikuese ndaj Serbisë në Beograd.








