Në Pagliara dei Marsi, një fshat i lashtë në shpatet e Malit Girifalco në rajonin Abruzzo të Italisë, macet tashmë tejkalojnë me numër banorët.
Ato enden lirshëm në rrugicat e ngushta, hyjnë dhe dalin nga shtëpitë dhe shtrihen mbi mure, ndërsa mjaullima e tyre është një tingull konstant në qetësinë e fshatit, pas dekadash të rënies së popullsisë, shkruan The Guardian.
Por kjo qetësi u ndërpre në mars, kur fshati festoi një ngjarje të rrallë: lindjen e një fëmije. Lara Bussi Trabucco është fëmija i parë që ka lindur në Pagliara dei Marsi pothuajse pas 30 vjetësh, duke rritur popullsinë e fshatit në rreth 20 banorë. Ajo është vajza e 42-vjeçares Cinzia Trabucco dhe partnerit të saj Paolo Bussi, 56 vjeç.
Pagëzimi i saj në kishën përballë shtëpisë u ndoq nga i gjithë komuniteti – përfshirë edhe macet – dhe për shkak të veçantisë së të pasurit një fëmijë në fshat, ajo tashmë është bërë atraksioni kryesor turistik.
“Njerëz që nuk e dinin as që Pagliara dei Marsi ekzistonte, kanë ardhur vetëm sepse kishin dëgjuar për Laran,” tha nëna e saj.
“Edhe pse ka vetëm nëntë muaj, ajo është e famshme.”
Lindja e Larës simbolizon shpresën, por njëkohësisht kujton krizën demografike që përfshin Italinë. Në vitin 2024, lindjet në vend arritën nivelin më të ulët historik prej 369,944, sipas të dhënave të Istat, ndërsa shkalla e fertilitetit gjithashtu ra në nivelin më të ulët.
Arsyet janë të shumta: pasiguria në punë, emigrimi masiv i të rinjve, mungesa e mbështetjes për nënat që punojnë dhe rritja e infertilitetit tek meshkujt. Për më tepër, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish zgjedhin të mos kenë fëmijë.
Çifti Trabucco-Bussi ka një histori të veçantë. Cinzia Trabucco, mësuese muzike nga Frascati pranë Romës, ka punuar në kryeqytet për vite, para se të vendoste të kthehej në fshatin e gjyshit të saj, për të rritur familjen larg zhurmës së qytetit.
Ajo u takua me Paolo Bussin, një punëtor ndërtimi nga zona, disa vjet më parë, dhe bashkë vendosën të sjellin jetë të re në këtë fshat të lashtë.








