Publikohen pamjet nga Dhoma e Situatave të Emergjencës në Shtëpinë e Bardhë, teksa zhvillohej sulmi amerikan ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Pamjet e publikuara tregojnë Donald Trump, Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio dhe pjesën tjetër të stafit të tyre duke parë zbatimin e planit të ushtrisë amerikane. Fotot e publikuara janë bërë virale në rrjet.
Trump shfaqet me kapele të kuqe “Make America Great Again”, simbol i lëvizjes së tij. Në një prej fotove, Trump qëndron i ulur, i qetë, i rrethuar nga ministrat e tij, duke ndjekur në ekran operacionin kundër tre objekteve iraniane të pasurimit të uraniumit. Në një tjetër foto, ai është në këmbë, pranë shefit të shtabit të përbashkët Dan Caine, i cili flet me Susie Wiles, shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Në krah të Trump-it janë ulur nënkryetari J.D. Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio – ndoshta një tregues i ndikimit të tyre. Kreu i CIA-s, John Ratcliffe, shihet me duar të kryqëzuara, ndërsa drejtoresha e inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard, mungon në foto – një detaj domethënës, duke marrë parasysh përplasjet që ajo ka pasur me Trump-in mbi çështjen iraniane. Në sfond shihen Dan Scavino, nënkryetar i stafit, dhe David Warrington, këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë, që ngrihet për të folur në vesh të shefit të Pentagonit.
Ushtria amerikane goditi tre objekte bërthamore iraniane, teksa Shtetet e Bashkuara u përfshin në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Donald Trump duke ndjekur bombardimet ndaj Iranit në ‘Situation Room’
Trump njoftoi se bombarduesit amerikanë goditën objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Esfahan gjatë një përpjekjeje të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia dështoi ta kthente Teheranin në tavolinën e negociatave.
“Qëllimi ynë ishte shkatërrimi i kapacitetit të Iranit për pasurim të uraniumit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që paraqet sponsori numër një shtetëror i terrorizmit në botë”, tha ai.
Trump, i cili vetëm dy ditë më parë tha se do të vendoste “brenda dy javësh” nëse do t’i bashkohej Izraelit në përpjekjet e tij për të shkatërruar objektet bërthamore iraniane, pretendoi se sulmet shkatërruan plotësisht objektet kyç të Iranit për pasurim të uraniumit.







