Një fotografi e publikuar në Facebook, ku një person shihej me një armë të gjatë në dorë dhe një armë tjetër në brez, ka aktivizuar Policinë dhe Prokurorinë në Vushtrri.
Burimet bëjnë me dije se rasti është trajtuar më 18 shtator, rreth orës 09:20, pasi përmes aplikacionit mobil është pranuar informacioni për fotografinë e publikuar në rrjetet sociale.
Sipas informacioneve në koordinim me Prokurorin e Shtetit është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, Besart Musa, 40-vjeçar, në rrugën “Enver Tahiri” në Vushtrri.
Gjatë kontrollit në shtëpi nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Për shkak të përmbajtjes dhe përshkrimit të fotografisë, lidhur me rastin është kontaktuar edhe Prokuroria Speciale. Pas sqarimit të rrethanave, kjo e fundit ka vlerësuar se deri në atë fazë nuk kishte elemente që rasti të trajtohej nga kompetenca e saj dhe ka udhëzuar që veprimet të vazhdojnë sipas udhëzimeve të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
40-vjeçari është shoqëruar në Stacionin Policor në Vushtrri dhe është intervistuar lidhur me fotografinë.
Gjatë deklarimit, ai ka pretenduar se “armët që shihen në fotografi janë montazh”.
Pas intervistimit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” mbetet nën hetime.








