Sot një javë, sezoni i tretë i formatit nisi rrugëtimin nën drejtimin e Arbana Osmanit. Ndonëse mendimet dhe komentet ishin të ndryshme, zhurmë u bë, sidomos me viralitetin e Mimoza Ahmetit. Por, produksioni nuk do të rrijë duarkryq. Ashtu siç Prive By Liberta Spahiu e paralajmëroi dhe raportoi saktësisht sot një javë, një hyrje e rëndësishme ishte paraparë pikërisht për Primen e tretë, saktësisht sonte.
Burimet tona thonë se bëhet fjalë për Ilir Shaqirin, fituesin e edicionit të parë të Big Brother VIP Albania. Nuk dihet se çfarë e ka bindur atë të riprovojë një eksperiencë të ngjashme, pasi nga ajo e kaluara i mori më të mirën duke fituar çmimin e madh prej 100,000 eurosh. Por ai me gjasë nuk vjen i vetëm. Një tjetër personazh që po përflitet është Ermiona Lekbello, po ashtu nga koha e Big Brother-ave të Arbanës.
Thuhet se për këto PO ofertat financiare nga produksioni e kanë bërë përgjigjen pozitive dukshëm më të lehtë.
Duke e ditur se sa shumë meme krijoi ajo si personazh, futja e saj potenciale brenda mund të krijojë një pol paralel, dhe me gjasë një kundërshtare direkte për Mimoza Ahmetin.
Me të drejtë, pyetja që shtrohet është: a ia vlejnë këto riciklime të personazheve që i kemi parë edhe më herët? Kjo është e diskutueshme, por koha do të jetë dëshmitari më i mirë. Për të parë çfarë ka përgatitur saktësisht produksioni, gjithçka mbetet të shihet sonte me fillim nga ora 21:00.









