Fitorja e Shqipërisë ndaj Serbisë ka bërë jehonë deri në Gadishullin Iberik.
Mediat spanjolle i kanë thurur lavde kuqezinjëve, me trepikëshin e vyer që i dërgon ata drejt një hapi të sigurtë në Botërorin në Amerikë në 2026.
“Rey Manaj shënon fitore historike të shqiptarëve në Serbi”, shkruan “AS”, teksa thekson se një gol nga ish-lojtari i Barcelonës B, pak para përfundimit të pjesës së parë, i festuar me shenjën e shqiponjës dykrenare me duar, u dha atyre një fitore historike ndaj serbëve.

Ndërsa “Marca”, e hap artikullin e saj me titullin: “Rey Manaj shënon fitore historike të shqiptarëve në Serbi”

“Një gol i Rey Manaj në fund të pjesës së parë, i festuar me shenjën e shqiponjës dykrenare me duar, i dha Serbisë një fitore historike ndaj Shqipërisë (0-1) të shtunën, në një ndeshje kyçe për kualifikimin në Kupën e Botës 2026 , por plot me ngarkesë politike për shkak të së kaluarës së të dy vendeve, shkruan më tej media spanjolle.
Në një mbrëmje që nisi me tension e përfundoi me një shpërthim gëzimi, Shqipëria shënoi një fitore historike 1-0 ndaj Serbisë, duke zgjatur në pesë ndeshje serinë e pathyeshmërisë dhe duke i dhënë krahë ëndrrës më të madhe që kjo kombëtare ka ndjekur ndonjëherë: kualifikimin në Kupën e Botës.
Dueli jashtë fushës, siç pritej i kalonte kufijtë e thjeshtë të futbollit, si një përballje ballkanike ku historia, konfliktet dhe mllefet nacionaliste u përzien bashkë me objektivin sportiv, por në fushë lojtarët e kombëtares ia dolën që ta kontrollonin edhe betejën taktike, por edhe betejën me presionin e jashtëm. Në llogaritë e Serbisë nuk mjaftonte as një barazim, ndaj e shtyrë nga dëshira për të fituar brenda në fushë, skuadra mori në dorë frenat e ndeshjes që në minutat e para, duke u përplasur në mënyrë të përsëritur me organizimin mbrojtës të kombëtares kuqezi.
Pas një fillimi të kujdesshëm nga të dyja palët, sinjalin e parë e dha Dusan Vlahovic me një gjuajtje të fortë nga distanca që detyroi Strakoshën të ndërhynte. Pak më vonë, sulmuesi i Juventusit humbi rastin më të pastër të pjesës së parë kur, i lënë i lirë nga 10 metra, goditi jashtë. Serbia e dominoi posedimin, por Shqipëria u tregua e duruar, duke pritur momentin e saj.






